Breaking News

Haradinaj: Në Berlin për liberalizimin e vizave

Kryeministri i Kosovës thotë se do të shkojë në takimin e udhëheqësve të Ballkanit në Berlin pa ndonjë pritshmëri të madhe për rifillimin e dialogut me Serbinë.

Ramush Haradinaj u tha gazetarëve pas mbledhjes së qeverisë, se në Berlin do të flasë për liberalizimin e vizave. “Te festa është takim i gjerë, janë krerët e Ballkanit perëndimor, udhëheqësit e institucioneve dhe institucionet e BE-së, është një nder që këtë takim e kryesojnë bashkë kancelarja Merkel e Presidenti Makron, e kemi nder edhe na në emër të Kosovës, po nuk kemi agjendë ose takime të tjera bilaterale apo kokë më kokë”, deklaroi Haradinaj. Ndërkohë eurodeputeti Knut Flankenstain i bëri thirrje Kosovës që të tregohet më e duruar, ndërsa kujtoi se Parlamenti Europian është në anën e qytetarëve të vendit në këtë proces. “E di që ju duhet shumë durim në procesin e liberalizimit të vizave. Por, të jeni të sigurt që Parlamenti Evropian për herë të dytë ka dhënë një votë të qartë që ne dëshirojmë që ta arrijmë këtë, dhe se ndihemi të turpëruar që Këshilli i Evropës vazhdimisht ka shtyrë dhe ka vonuar këtë çështje. Në këtë aspekt jemi në anën tuaj dhe vazhdojmë të bëjmë presion, dhe kjo ditë shpresojmë të jetë shumë afër, të miratohet ajo që ju meritoni që prej një kohe. Sepse është gjithashtu në pyetje besueshmëria jonë,” tha ai. Me 29 prill me ftesë të kancelares Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, do të mbahet në Berlin takimi i udhëheqësve të Ballkanit.

Advertisements