Breaking News

Stoltenberg: NATO nuk e ka ndërmend të zvogëlojë numrin e trupave në Kosovë

NATO nuk ka plane për të reduktuar praninë e forcave të saj, as misionin e KFOR-it në Kosovë, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke shtuar se arsyeja pse NATO është në Kosovë është për të mbrojtur të gjithë njerëzit.

Ndërsa, siç shkruajnë mediat serbe, përveç kësaj, ai ka folur edhe rreth bombardimit të Serbisë në vitin 1999 nga NATO, duke shtuar se “detyra ishte për të ndaluar luftën dhe katastrofën humanitare dhe në të njëjtën kohë për të parandaluar humbjen e jetës së civilëve”. “Unë plotësisht e kuptoj se misioni i NATO-s është ende një temë e dhimbshme në Serbi. Unë nuk jam duke u kërkuar serbëve që të harrojnë atë që ndodhi në vitin 1999, por vetëm dua që Serbia dhe NATO bashkëpunojnë në të ardhmen”, citohet të ketë thënë njeriu i parë i NATO-s, në një intervistë për TV Prva. Ndryshe, edhe komandanti i bazës ushtarake amerikane në Kampin “Bondsteel” në Kosovë, koloneli Roy Macaraeg, kishte komentuar raportimet e mediave se SHBA mund të tërheq ushtarët e saj nga Kosova si pasojë e mos bindjes së Qeverisë së Kosovës, ndaj kërkesës së SHBA-së për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe. Komandanti i “Bondsteel-it”, koloneli Macaraeg, kishte thënë se asgjë nuk ka ndryshuar në misionin e tyre në Kosovë dhe se “vendimet të tilla merren në nivelin politik”. “Ambasada amerikane në Prishtinë e ka prezantuar shumë qartë qëndrimin tonë kombëtar. Ne, si KFOR, mbetemi të angazhuar në misionin tonë të përcaktuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, kishte thënë Macaraeg. Në media ishte raportuar se në rast se autoritetet kosovare nuk ndryshojnë kursin aktual, posaçërisht sa i përket taksës, mund të ketë pasoja serioze që do të rezultonin edhe me tërheqjen e kampit amerikan në Kosovë “Bondsteel”. Ndërkohë rreth një hipoteze të tillë ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i cili kishte “paralajmëruar” se çdo qeveri që rrezikon raportet me SHBA-në dhe bazën e Bondsteel mund të bie.

Advertisements