Breaking News

Senati amerikan sfidon presidentin

Senati amerikan miratoi të enjten një rezolutë që kundërshton shpalljen e gjendjes së emergjencës kombëtare nga Presidenti Donald Trump lidhur me kufirin jugor të vendit.

Rezoluta e miratuar me rezultatin 51 me 49, sfidon kërcënimin e Presidentit se do t’i verë asaj veton. Dymbëdhjetë senatorë republikanë mbështetën rezolutën e miratuar në muajin shkurt nga Dhoma e Përfaqësuesve, e cila kontrollohet nga demokratët. Rezoluta nuk ka të ngjarë të kthehet në ligj në kushtet kur nevojiten dy të tretat e votave të Kongresit për të rrëzuar një veto të Presidentit. “Jam gati për të vënë veton, nëse do të jetë e nevojshme,” shkruante Trump të enjten në një postim në Twitter. Këtë javë nënpresidenti Mike Pence u takua me senatorët republikanë në përpjekje për të zbutur mbështetjen ndaj rezolutës që kundërshton gjendjen e emergjencës. Mosmarrëveshja politike lidhen me miliarda dollarë fonde për një mur përgjatë kufirit amerikan me Meksikën kërkuar nga zoti Trump, por që Kongresi ka refuzuar t’ia sigurojë plotësisht. Ngërçi çoi në një mbyllje të pjesshme të agjencive qeveritare për 35 ditë. Bazuar në shpalljen e gjendjes së emergjencës, që Presidenti Trump nënshkroi më 15 shkurt, ai kërkon të marrë para nga programe të tjera federale për të ndërtuar murin, që siç thotë është i nevojshëm për të frenuar imigracionin e paligjshëm dhe trafikun e drogës. Demokratët mohojnë të ketë një emergjencë në kufi, duke thënë se kalimi i paligjshëm i kufirit është në nivelet më të ulëta prej katër dekadash.

Advertisements