Breaking News

Mosmarrëveshjet për linjën hekurudhore me Francën, Italia rrezikon t’i ikin 800 mln euro

Mosmarrëveshjet rreth ndërtimit të projektit hekurudhor që lidh Italinë me Francën nuk kanë gjasë që të çojnë në rrëzimin e qeverisë italiane.

Kështu është shprehur zëvendëskryeministri, Luixhi di Maio, duke u zotuar për një zgjidhje me partnerët e tij të koalicionit përmes takimeve intensive. Partia “Lidhja” ka propozuar që çështja të hidhet në referendum ose të votohet në parlament. Partitë e shumicës në Romë pritet brenda ditës së premte që të gjejnë një zgjidhje rreth projektit të tunelit hekurudhor me Francën që po rrezikon qëndrueshmërinë e koalicionit qeverisës. Një takim pesëorësh mbrëmjen e kaluar me teknikët dhe palët politike nuk i bindi liderët e partive kryesore, të cilët janë angazhuar t’i vijojnë bisedimet edhe gjatë ditës së enjte. Projekti TAV është konceptuar si një tunel 57 kilometra i gjatë për të lidhur qytetin italian të Torinos me atë francez të Lionit dhe planifikohet të përfundojë në vitin 2025. Linja hekurudhore vlerësohet të kushtojë rreth 8.6 miliardë euro por një raport i qeverisë italiane tregoi muajin e kaluar se projekti nuk është rentabël dhe mund të shkaktojë një deficit prej 7 miliardë eurosh deri në vitin 2059. Kostoja e projektit është pikërisht pika që kundërshtohet nga partia “5 Yjet” e zëvendëskryeministrit Luixhi Di Maio, ndërsa partia “Lidhja” e homologut të tij Mateo Salvini, shoqata e ndërtuesve sikurse Franca dhe BE-ja kanë dalë në mbrojtje të tunelit. Sipas Di Maio, pavarësisht qëndrimeve rreth tunelit, koalicioni qeverisës nuk ka gjasa që të shpërbëhet si pasojë e mosmarrëveshjeve dhe se palët mbeten të angazhuara për një zgjidhje. Sondazhet e fundit tregojnë se 57 për qind e anëtarëve të partisë “5 Yjet” do të votonin kundër projektit Itali-Francë, edhe nëse kjo do të çonte në rrëzimin e qeverisë. Italisë i është kërkuar një vendim final për veprën infrastrukturore brenda datës 11 mars, në të kundërt rrezikon humbjen e mbështetjes financiare nga Komisioni Europian në vlerën 800 milionë euro, përpos penaliteteve të mundshme në rast se vijojnë vonesat.

Advertisements