Breaking News

Mogherini: Pa heqjen e taksës ndaj Serbisë s’ka kushte për vazhdimin e dialogut

Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini konfirmoi se është e gatshme të organizojë takime maratonike në nivel të presidentëve, në mënyrë që të arrihet marrëveshja për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, ajo tha se tash për tash, nuk ekzistojnë kushte për të thirrur një takim të ri. Sipas Mogherinit, duhet të ketë “pezullim ose heqje të tarifës ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës” nga ana e Kosovës, në mënyrë që të krijohen kushtet për një takim të ri ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq. “Në momentin që krijohen kushtet, jo vetëm që jam e gatshme që mengjesin e ardhshëm të organizoj takimin, por edhe ta përmbyllim atë për aq kohë sa nevojitet: shtatë ditë, një apo tre muaj” ka thënë Mogherini. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, tha se të gjithë duhet të përdorin një atmosferë pozitive në mënyrë që të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse, ligjërisht e obligueshme, për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, Mogherini tha se nuk po sheh “ndërmarrjen e veprimeve që çojnë në këtë drejtim”. Në takimin e së hënës ndërmjet ministrave të Jashtëm të BE-së me shefen e diplomacisë evropiane Federica Mogherini, nuk është diskutuar për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Këto komente Mogherini i bëri pas pyetjes së gazetarëve në konferencën për media pas takimit. Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është ndërprerë për shkak të tarifës së vendosur nga ana e autoriteteve në Prishtinë ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës. BE-ja dhe SHBA-ja ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të pezullojë tarifën mirëpo një gjë e tillë po kundërshtohet nga kryeministri, Ramush Haradinaj. Ai kërkon që paraprakisht Serbia ta njohë Kosovës dhe për tarifën të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve. Në një konferencë shtypi pas takimit të ministrave të BE, Mogherini tha se kushti bazë për vazhdimin e dialogut është heqja e taksës ndaj mallrave serbe, e vendosur në nëntor të vitit të kaluar, e për të cilën kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka precizuar se do të mbetet në fuqi deri në njohjen e Kosovës nga Serbia. Kryediplomatja evropiane pret që Beogradi dhe Prishtina të përdorin një atmosferë pozitive, për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të plotë të marrëdhënieve.

Advertisements