Breaking News

Bashar Asad: Erdogan është një shërbëtor i përulur i Shteteve të Bashkuara!

Presidenti i Sirisë në një fjalim të mbajtur të dielën deklaroi: “Armiqtë që duke u mbështetur tek terroristët në fazat e fundit u mposhtën dhe tani po dërgojnë mercenarin turk në veri të Sirisë. Erdogan është një shërbëtor i përulur i Shteteve të Bashkuara. Turqia ka përfituar nga SHBA për të hyrë në veri të Sirisë që nga dita e parë e krizës”.

Presidenti sirian Bashar Asad ka paralajmëruar në mënyrë implicite të ashtuquajturat Forca Demokratike Siriane (SDF) kundër mbështetjes në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se Uashingtoni nuk do të mbrojë ata që varen nga ai. “Ne u themi atyre grupeve që i varin shpresat te amerikanët, amerikanët nuk do t’ju mbrojnë. Amerikanët do t’ju futin në xhepat e tyre në mënyrë që të jeni mjete për planet e tyre”, tha Asad duke shtuar: “Askush nuk do t’ju mbrojë përveç shtetit tuaj. Nëse nuk përgatiteni për të mbrojtur vendin tuaj, ju nuk do të jeni tjetër, veçse skllevër”. “Pas gjithë këtyre viteve të krizës, mercenarët dhe agjentët nuk e kanë kuptuar se asgjë nuk mund ta ruajë vlerën e tyre. E vetmja mënyrë për të hequr qafe devijimin është bashkimi me procesin e pajtimit dhe dorëzimi i municioneve tuaja tek forcat qeveritare siriane “, theksoi Asad. Presidenti sirian shtoi se vendi i tij ka arritur të shënojë fitore të mëdha mbi grupet terroriste, falë sakrificave të mëdha të bëra nga trupat qeveritare dhe mbështetjes solide të ofruar nga aleatët e Sirisë. “Nuk do të kishim mundur të mbronim atdheun pa një front të unifikuar dhe pa kontributin e njerëzve nga shtresa të ndryshme të shoqërisë siriane. Njerëzit sirianë kanë një histori të rrënjosur thellë dhe i kanë rezistuar terrorizmit … Ne mund ta arrijmë fitoren përfundimtare me njëri-tjetrin jo mbi njëri-tjetrin”, theksoi Asad.

Advertisements