Breaking News

Policia e Stambollit zbulon detaje të reja të tmerrshme rreth vrasjes së Khashoggit

Raporti i Drejtorisë së Policisë në Stamboll për vitin 2018 zbulon një numër detajesh lidhur me vrasjen brutale të gazetarit Jamal Khashoggi, që ndodhi më 2 tetor në Konsullatën saudite në Stamboll, raporton Anadolu Agency (AA).

Raporti i aktiviteteve të vitit të kaluar të policisë turke në Stamboll thekson se brenda kompleksit të Konsullatës Saudite ndodhen dy puse për ujë dhe një furrë me dru dhe gaz. Po ashtu theksohet se kjo është një furrë, temperatura e së cilës mund të arrijë temperatura të larta deri në 1.000 gradë Celsius, në të cilin mund të shkatërrohen të gjitha gjurmët e mundshme të ADN-së. Po ashtu raporti nënvizon se në mesin e 15 personave, të cilët në ditën e vrasjes së Khashoggit mbërritën nga Arabia Saudite në Konsullatën në Stamboll ishte edhe eksperti 47-vjeçar i Ministrisë së Arabisë Saudite të mjekësisë forenzike, Salah Mohammed A. Tubaigy. Ky është një ekspert i cili titullin e doktorit të shkencave e mori duke mbrojtur tezën për analizën e ADN-së në mostrat e indeve të eshtrave. Gjithashtu theksohet se eksperti në fjalë ishte i aftë të kontrollojë nëse kanë ngelur gjurmë të ADN-së pas vrasjes së gazetarit Khashoggi, trupi i të cilit pasi që u vra, u copëtua dhe u dogj. Raporti i policisë turke potencon se ekipi 15-anëtarësh i vrasësve të Khashoggit, pas vrasjes brutale nga një restorant i njohur i Stambollit porositi 32 racione mishi të papjekur në Konsullatën saudite. “Duam, apo nuk duam, kjo ngrit një sërë pyetjesh…A ishte plani që mishi të piqej në furrë? Sigurisht se gjithçka do të zbardhet. Hetimet ende nuk kanë përfunduar”, thuhet në raport. Në kuadër të hetimit rreth vrasjes së Khashoggit, Departamenti i anti-terrorit të policisë turke pranoi në total 224 raporte, kurse si më intersanti potencohet raporti i mbërritur nga SHBA-të.

Advertisements