Breaking News

Taksa ndaj Serbisë, 100 milion euro humbje

Vënia e taksës prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës për prodhimet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, u kanë shkaktuar dëme të mëdha ekonomike e financiare bizneseve të këtyre dy shteteve.

Në Doganën e Kosovës kanë treguar për efektet e taksës, ndërsa në Qeverinë e Kosovës kanë thënë se nuk do ta heqin taksën pa ndryshuar qëndrimet e Serbisë karshi Kosovës. Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi ka thënë për Telegrafin se taksa për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk do të hiqet, derisa të ketë njohje nga Serbia. “Qëndrimi i Qeverisë nuk ka ndryshuar. Kosova i ka argumentet e saj për këtë çështje të cilat janë të njohura tashmë, i ka thënë kryeministri Haradinaj gjithashtu edhe faktet se pse është e vendosur bashkë me arsyet kur hiqet ajo”, tha Gashi. Taksa 100 për qind vetëm Serbisë nga 6 nëntori i vitit 2018 e deri më sot i ka shkaktuar dëme rreth 100 milionë euro. Në Doganën e Kosovës kanë treguar se brenda një dite nga Serbia janë importuar deri në 150 maune me mallra, ndërsa importi pas taksës është minimal. Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka konfirmuar se importet e mallrave nga Serbia kanë rënë për rreth 100 për qind. Zëvendëskryeministri si dhe ministri i Tregtisë, Rasim Lajiq, ka deklaruar për TV PINK në Serbi se taksa 100 për qind për mallrat e Serbisë u ka shkaktuar humbje 90 milionë euro.

Advertisements