Breaking News

Kasami: Shqiptarët ende nuk janë të barabartë me maqedonasit

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami për “Ora News” thotë se shqiptarët ende nuk janë të barabartë me maqedonasit, edhe pas pranimit të një pjese të ndryshimeve të amendamenteve kushtetuese në Kuvend.

Ai tha se çështja shqiptare në Maqedoni ende nuk është mbyllur dhe nuk do të mbyllet deri sa shqiptarët të jenë të barabartë me maqedonasit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Çështja shqiptare në Maqedoni edhe më tej vazhdon të jetë e hapur edhe krahas faktit që disa parti shqiptare në Qeveri për t’i mbrojtur pozitat e veta e shpallën çështjen shqiptare si të mbyllur. U përpoqën të na thonë edhe nga Washingtoni, por ne arritëm marrëveshje me Qeverinë që kjo çështje të mbetet e hapur dhe të zgjidhet në të ardhmen”, deklaroi Kasami.

Ai shtoi se partitë tjera politike e kanë relativizuar këtë çështje në emër të anëtarësimit në NATO, por Lëvizja Besa këtë në mënyrë të qartë e ka sqaruar në ShBA.

“Menjëherë pas vizitës në Departamentin Shtetëror, ku shprehëm shqetësimin tonë se çështja shqiptare në Maqedoni nuk duhet të mbyllet për shkak se shqiptarët nuk janë të barabartë në Maqedoni. Shqiptarët këtu trajtohen si pakicë, edhe pse janë pjesa më e rëndësishme në Maqedoni, pas maqedonasve ne jemi shumicë në Maqedoni dhe si të tillë kërkojmë të drejtat tona për t’u trajtuar si popull shtetformues”, tha mes tjerash Kasami.

Bilalli ceku se derisa gjuha shqipe nuk hyn në Kushtetutë, si i barabartë me gjuhën maqedonase, dhe shqiptarët të përmenden në Kushtetutën e Maqedonisë si qytetarët dhe popull shtetformues, çështja shqiptare do të vazhdojë të jetë e hapur dhe se këtë, siç thotë Kasami kryeministri Zoran Zaev e ka nënshkruar në dokument me Lëvizjen Besa./Telegrafi/

Advertisements