Breaking News

Ivanov: Publikimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Gazetën Zyrtare është vepër penale

Pas publikimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Gazetën Zyrtare ka reaguar edhe presidenti i shtetit Gjorge Ivanov. Nga kabineti i tij thonë se publikimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës në Gazetën Zyrtare pa dekretimin e Ivanovit, është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

“Me vendosjen e këtyre dy ligjeve në Gazetën Zyrtare është shkelur neni 75 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, ndërsa publikimi i ligjeve në mënyrë joligjore paraqet vepër penale”.

“Ky është momenti kur do të konfirmohet nëse në Maqedoni ka Gjykatë Kushtetuese, nëse funksionon Prokuroria, nëse ka gjyqësor të pavarur dhe nëse ka sundim të së drejtës”.

“Pyes nëse përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët e mbështesin koalicionin qeveritar, do të paraqiten dhe do ta mbështesin këtë mënyrë të sjelljes së ligjeve?”, thekson presidenti Ivanov përmes reagimit me shkrim.

Ndryshe, Ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua nga deputetët në mars të vitit të kaluar, ndërsa prej atëherë ka qëndruar në sirtarët e kryetarit të Kuvendit, pasi i njëjti nuk u dekretua nga presidenti i shtetit.