Breaking News

Ekonomia gjermane, rritja më e ulët në 5 vite

Ekonomia e Gjermanisë është rritur me 1.5 për qind gjatë vitit të shkuar, ritmi më i ulët i rritjes ky që nga viti 2013. Sipas shifrave të fundit të Zyrës të Statistikave Federale, ekonomia më e madhe e Europës është ngadalësuar ndjeshëm.

Një ekonomi më e dobët globale dhe problemet në industrinë e makinave, të shkaktuara nga standardet e reja të ndotjes, janë cituar si kontribuues në ngadalësim.

Në fillim të vitit 2018, ekonomia gjermane pritej të rritej me 1.8 për qind, ndërsa rritja në 2017-n ishte 2.2 për qind. Ekonomia gjermane është tkurrur në tremujorin e tretë të vitit të kaluar me 0.2 për qind, me mosmarrëveshjet globale të tregtisë që fajësohen për kontraktimin. Madje ka pasur frikë edhe se Gjermania do të vijonte me rritje negative, diçka që do ta zhyste vendin në recesion.

Zyra e statistikave, sidoqoftë nuk i ka publikuar ende shifrat e tremujorit të katërt, por përllogaritjet paraprake nga ekonomistë të pavarur sugjerojnë se, ekonomia mund të jetë rritur me 0.2 për qind në 3 muajt e fundit të vitit.

Arsyet për rritje më të ngadaltë vitin e shkuar përfshijnë edhe ngadalësimin e ekonomisë globale dhe sektorin e automobilave, tashmë më të dobësuar, me konsumatorët gjermanë që kanë blerë më pak makina të reja në vazhdim të konfuzionit për standarde të reja të emetimeve.

Për më tepër, nivelet e ulëta të ujit, veçanërisht në lumin Rin, kanë prekur rritjen duke frenuar lëvizjen e disa mallrave.

Advertisements