Breaking News

Beogradi ndalon në kufi serbët që punojnë në qeverinë e Kosovës

Në tri raste policia e Serbisë i ka ndaluar në kufi zyrtarët serbë që punojnë në qeverinë e Kosovës. Haradinaj i ka dënuar këto ndalje.

Policia e Serbisë e ka ndaluar serish në vendkalimin kufitar në Merdare një këshilltar të përkatësisë entike serbe të Kosovës, i cili punon në qeverinë e kryeministrit Ramush Haradinaj. Nebojsha Jakovleviq, është këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pjesë e partisë së pavarur liberale serbe (SLS). Ky është rasti i tretë që autoritetet e Serbisë ndalojnë zyrtarë të kësaj partie në kufirin Kosovë-Serbi, duke i marrë në pyetje për orë të tëra. Më herët në dy raste të ndara në Merdare, janë ndaluar për disa orë, kryetari i Partisë së Pavarur Liberale [SLS] në Kosovë, Sllobodan Petroviq, dhe nënkryetari i kësaj partie Boban Stankoviq, që është zëvendësministër në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit. SLS nuk pajtohet me politikat e Listës serbe, e cila ka dhjetë deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe që ka kohë që kanë bojkotuar institucionet e Kosovës. Lista Srpska e ka mbështetjen e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas ndalimit që iu bë sot në Merdare, Nebojsha Jakovleviqit, që është këshilltar në qeverinë e tij, tha se “ky është presion dhe kërcënim i Serbisë ndaj qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë”. “Ndalimi i Nebojsa Jakovleviq nga autoritetet e Serbisë në Merdare, është veprimi i radhës i papranueshëm dhe i dënueshëm. Jakovleviq është këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pjesë e partisë SLS dhe vëllai i nënkryetarit të Komunës së Obiliqit, familjen e të cilit e kam vizituar gjatë muajit dhjetor. Qeveria e Kosovës dënon ashpër këtë formë të presionit dhe kërcënimit nga ana e Serbisë ndaj qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë”, kumtoi Haradinaj.

Advertisements