Breaking News

Kosova, përmes taksës, synon faktorizimin në dialog me Serbinë

Taksa prej 100 për qind që Qeveria e Kosovës e ka vendosur për produktet nga Serbia, ka krijuar një realitet krejtësisht të ri në raportet edhe ashtu të rënduara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ka reflektuar edhe në dialogun për normalizimin ndërmjet dy vendeve, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Për më shumë, çështja e kësaj takse tashmë është shndërruar në pengesë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për faktin se kjo e fundit, heqjen e kësaj takse e ka vënë kusht për vazhdimin e këtij dialogu. Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë theksuar se dialogu kërkon një dinamikë të shtuar në gjysmën e parë të këtij viti, por për zhvillimin e tij nevojitet një klimë më e mirë dhe për këtë arsye Kosova duhet ta tërheqë vendimin për taksën. Por, zyrtarët e delegacionit shtetëror të Kosovës në dialog me Serbinë, të martën, pas takimit në Bruksel me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, kanë hedhur poshtë mundësinë që Kosova ta suspendojë apo anulojë vendimin për taksën, duke thënë se kjo është masa e vetme për t’iu kundërvënë politikave agresive të Serbisë ndaj Kosovës. Politologu Ramush Tahiri, thotë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është vështirë të vazhdojë e madje edhe mund të dështojë, përderisa palët janë kryeneçe në pozicionet e veta. Sipas tij, pritjet e Kosovës dhe të Serbisë janë të ndryshme, ndërkaq që pritjet e bashkësisë ndërkombëtare janë që normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve t’u qaset pa kushte. “Tash, ndërmjetësimi ndërkombëtar duhet të jetë më i fuqishëm ose palët duhet të lëshojnë pe dhe të kthehen në një pozicion të mëhershëm. Në këtë moment duket vështirë, sepse palët në bisedime luftojnë edhe për opinionin e brendshëm dhe kanë radikalizuar qëndrimet e tyre, duke u treguar si mbrojtës të ideve që konsiderohen se janë populiste ose që konsiderohen se janë në interes të vendeve të tyre”, tha Tahiri. Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë se tash për tash vazhdimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet peng i pozicionimeve të palëve, të cilat, sipas tij, vështirë se mund të ndryshojnë pa një presion të fuqishëm ndërkombëtar. “Pra ose Serbia duhet të japë garanci të jashtëzakonshme dhe të qarta para BE-së dhe para Shteteve të Bashkuara të Amerikës se nuk do ta sabotojë shtetësinë e Kosovës ose SHBA-ja do të bëjë një presion të madh (ndaj Kosovës), si aleatja kryesore në arenën ndërkombëtare, me qëllim që të mundësohet vazhdimi i dialogut. Unë mendoj që kërkesa e Kosovës për njohje nga Serbia, në këtë moment, është jorealiste. Ajo mund të ndodhë pas disa muajsh dhe në një format tjetër, pra, në ndonjë konferencë të madhe, ashtu siç është duke u parashikuar”, theksoi Muhaxhiri.

Advertisements