Breaking News

Trump shtyn me katër muaj tërheqjen e trupave nga Siria

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, i ka dhënë katër muaj kohë Pentagonit, për të mundësuar largimin përfundimtar të 2000 trupave amerikane nga Siria.

Gjatë takimit të zhvilluar në Irak me gjeneralin Gen. Paul J. LaCamera, që kryeson misionin në luftën kundër ISIS, Trump tha se do të duheshin disa muaj për të siguruar një tërheqje të ngadaltë. Sipas tij, kjo është e nevojshme në mënyrë që trupat të jenë të mbrojtura nga çdo rrezik i mundshëm. “Ne e kemi mundur ISIS-in në Siri, që ishte arsyeja ime e vetme për të qenë atje gjatë Presidencës sime”, shkroi Trump në twitter. Menjëherë pas këtij vendimi senatori republikan Lindsey Graham garantoi se presidenti amerikan mbetet i angazhuar në luftën kundër ISIS në Siri, pavarësisht planeve të tij për tërheqjen e trupave nga vendi i trazuar. Senatori Lindsey Graham u tha gazetarëve të dielën se Presidenti i SHBA, Donald Trump po “rikonsideron” tërheqjen e planifikuar të trupave nga Siria. Graham më vonë ka shkruar në Twitter se ai ishte siguruar nga Presidenti i SHBA-së se çdo tërheqje nga Siria do të sigurojë që forcat e ISIS të shkatërrohen përgjithmonë, “Irani të mos plotësojë vakumin” dhe se aleatët kurdë të SHBA do të mbrohen. Më 19 dhjetor, kreu i Shtëpisë së Bardhë njoftoi largimin e rreth 2000 trupave, me argumentin se ISIS-i tashmë është mposhtur. Aktualisht, Shtetet e Bashkuara kanë ndikimin më të vogël në zhvillimet siriane apo në balancën e pushtetit në favor të grupeve terroriste. Përkundër insistimit të Trump për të tërhequr forcat amerikane nga Siria, ai tani është detyruar të rishqyrtojë vendimin e tij. Kjo sugjeron që Trump nuk ka ndonjë kuptim real mbi situatën e forcave të SHBA të bazuara në Siri, si dhe forcat aleate të tyre, militantët kurdë dhe forcat demokratike siriane. Ndërkohë, struktura e pushtetit të SHBA është kundër veprimeve të Trump dhe e konsideron tërheqjen nga Siria në kundërshtim me angazhimet dhe interesat rajonale të SHBA. Sipas Nader Entessar, një profesor në Universitetin e Alabamas, vendimi amerikan, ose më mirë, vendimi i Trump ishte mjaft i papritur në kohën e tanishme dhe krijoi një tronditje në sistemin e politikës së jashtme të SHBA. Në thelb, prania e forcave amerikane në Siri nuk ishte me kërkesë të qeverisë legjitime të Damaskut dhe as me ndonjë mandat nga Këshilli i Sigurimit i OKB. Pavarësisht nga arsyet për tërheqjen e mundshme të SHBA nga Siria, duhet të theksohet se Damasku ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se prania ushtarake e paligjshme amerikane në Siri është një pushtim dhe ka theksuar nevojën për tërheqjen e këtyre forcave nga Siria.

Advertisements