Breaking News

Junker: Britanikët të na thonë çfarë duan

Shefi i Komisionit Evropian, Zhan-Klod Junker, i ka mohuar akuzat e disa zërave kritikë në Britani se Bashkimi Evropian po ndjek një agjendë të fshehtë për të mos mundësuar largimin e vendit nga blloku evropian.

Në një intervistë për gazetën gjermane, “Velt am Zontag”, Junker u shpreh se publiku anglez duhet të kërkojë llogari nga politikanët e vet se përse nuk po votohet marrëveshja e propozuar nga Brukseli në fund të nëntorit. “Do të bëja një thirrje për politikanët anglezë: kthjelloni mendjen dhe na tregoni çfarë doni. Propozimet tona i keni pasur në tryezë prej muajsh. Kam përshtypjen se shumica e deputetëve anglezë kanë një mungesë të thellë besimi kundrejt BE-së dhe vetë kryeministres angleze, dhe hamendësojnë sikur ne duam ta mbajmë vendin me çdo kusht në BE. Duam vetëm të qartësojmë marrëdhënien tonë në të ardhmen, vetëm kaq”. Tha Junker. Në fillimin e dhjetorit, kabineti britanik shtyu votimin në parlament të marrëveshjes për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja pasi druhej se shumica e deputetëve do e kundërshtonin. Parlamenti britanik pritet të votojë në dy javët e ardhshme marrëveshjen për daljen e vendit nga Bashkimi Evropian, por Brukseli i ka kërkuar ligjvënëse britanikë që të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.

Advertisements