Breaking News

Bërnabiç: Nuk kam kërkuar tërheqjen e njohjes së Kosovës nga shtetet e OKB-së

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, disa ditë më parë i kishte dërguar kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama një letër përmes së cilës i kërkonte rishqyrtimin e njohjes së Kosovës.

Mirëpo, gjatë ditës së dielë Bërnabiç, ka thënë se përmes atyre letrave nuk ka kërkuar tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, por siç është shprehur ajo, ka dëshiruar t’i njoftojë ata në lidhje me veprimet e “papërgjegjshme, të pamenduara dhe të rrezikshme të Prishtinës”.  “Nuk u kam bërë thirrje shteteve anëtare të OKB-së të tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Letrën për të cilën flet Haradinaj e ka dërguar më 16 nëntor pas ngritjes së taksës për 10 për qind. Në atë moment shumë transparent, ai ka qenë vendimi i Qeverisë që të njoftojmë shtetet anëtare të OKB-së në lidhje me veprimet e papërgjegjshme, të pamenduara dhe të rrezikshme të Prishtinës”, deklaroi Bërnabiç. Sipas saj, përmes kësaj letre ka dashur t’i njoftojë shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe ato që nuk e kanë njohur me veprimet që kishte ndërmarrë qeveria e Kosovës. Gjithashtu, në këtë letër Bërnabiq ka bërë të ditur se është përmendur edhe rasti i vrasjes së Oliver Ivanoviçit dhe ‘fakti se Kosova nuk e lejoi Serbinë që të ndihmonte në hetimin dhe se institucionet e kosovare nuk ndajnë informacione me Beogradin’. Ajo deklaroi se anëtarët e OKB-së i ka njoftuar se Kosova jo vetëm që nuk respektoi marrëveshjet ndërkombëtare, siç është marrëveshja e Brukselit dhe Rezoluta 1244, por edhe ligjet e saj dhe Kushtetutën.

Advertisements