Breaking News

A ndikon lufta verbale në marrëdhëniet e forta Ankara-Tel Aviv?

Turqia dhe Izraeli kanë shkëmbyer akuza të reja, ku Ankaraja dënon okupimin e territoreve palestineze nga Izraeli, ndërsa Tel Avivi e akuzon Turqinë për masakrimin e kurdëve dhe për pushtimin e Qipros.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka sulmuar përsëri të dielën kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu pasi ky i fundit akuzoi Turqinë për pushtimin e Qipros. “Duke akuzuar Turqinë për pushtimin e Qipros, kryeministri izraelit mund të ketë ngatërruar gjuhën e tij. Përkundrazi, ai donte të thoshte se po izraelitët po pushtojnë Palestinën dhe po vrasin gra dhe fëmijë, “tha Erdogan në Stamboll të dielën. “Netanjahu,” vazhdoi ai, “po troket në derën e gabuar. Erdogan është zëri i të shtypurve, ti je zëri i tiranëve. Netanjahu, ti je një tiran. Turqia po lufton terroristët. Kriminelët izraelitë nuk kanë të drejtë të fajësojnë askënd, nëse në fillim nuk japin llogari për krimet tyre. ” Në një postim të shtunën, kryeministri izraelit Netanjahu ka thënë se Erdogan ishte “pushtuesi i Qipros veriore, ushtria e tij masakron gratë dhe fëmijët në fshatrat kurde brenda dhe jashtë Turqisë”. Duke reaguar ndaj retorikës së kryeministrit izraelit, Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu të dielën e quajti Netanjahun “një vrasës gjakftohtë të kohëve moderne”. Zëdhënësi dhe kryekëshilltari i Erdoganit, Ibrahim Kalin tha se “Netanjahu duhet t’i japë fund okupimit të paligjshëm të tokave palestineze dhe shtypjes brutale të popullit palestinez” në vend që të lusë Presidentin Erdogan të mos flasë të vërtetën”. “Sulmi ndaj  Erdoganit ose përdorimi i kurdëve si një alibi politike nuk do ta shpëtojë atë nga problemet e tij të brendshme,” shtoi Kalin. Më parë këtë muaj, Erdogan krahasoi mizoritë izraelite kundër palestinezëve me ato që u kryen kundër hebrenjve në Gjermaninë naziste. Jamal Wakim, një profesor në Universitetin Ndërkombëtar Libanez, në një intervistë me Press TV tha se “kjo luftë verbale nuk ndikon në marrëdhëniet e vërteta që janë të forta midis Turqisë dhe Izraelit. Ne e dimë se gjatë dekadës së fundit marrëdhëniet Ankara-Tel Aviv janë forcuar qoftë në nivel ushtarak, të sigurisë apo ekonomik dhe përkundër rasteve të ndryshme të grindjeve verbale … këto marrëdhënie nuk u prekën aspak. Pjesa më e madhe e kësaj lufte verbale është e drejtuar për të fituar opinionin e brendshëm publik, qoftë në Turqi apo në mesin e sionistëve “. Marrëdhëniet në mes të Turqisë dhe Izraelit janë të tensionuara, për shkak të një varg çështjes, përfshirë edhe një ligj të miratuar këtë vit nga Izraeli, ku ky shtet konsiderohet si atdheu i popullit hebre. Presidenti turk edhe në të kaluarën ka kritikuar Izraelin, madje duke e cilësuar si shtetin më racist në botë.

Advertisements