Breaking News

Kasemi: Marrëdhëniet e mira të Iranit dhe Irakut vazhdojnë

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Iranit deklaroi se Irani dhe Iraku pavarësisht përpjekjeve të palogjikshme të Amerikës, kanë marrëdhënie të mira bilaterale.

Bahram Kasemi, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Iranit, të hënën në konferencën për shtyp me gazetarët e huaj dhe vendorë, në lidhje me shtimin e presioneve të Amerikës mbi qeverinë e Irakut për të reduktuar bashkëpunimet ekonomike me Iranin, theksoi: “Iraku është një fqinjë i mirë dhe partner i rëndësishëm ekonomik i Iranit dhe përpjekjet e palogjikshme të Amerikës për të krijuar probleme dhe pengesa në marrëdhëniet bilaterale nuk mund të krijojnë pengesa në këto marrëdhënie”.

Kasemi në lidhje me vizitën e ministrit të jashtëm të Iranit në Katar dhe formimin e një diplomacie të re rajonale, deklaroi: “Politikat rajonale të Iranit janë po ato politika të kaluara të cilat ndiqen në bazë të realiteteve dhe qëllimeve rajonale të Iranit”.

Kasemi në lidhje me tërheqjen e kompanive shtetërore të Rusisë dhe Kinës nga partneriteti në zhvillimin e sektorit të naftës dhe gazit të Iranit, deklaroi: “Deri në kohën kur nuk bëhet ndonjë deklarim zyrtar nga ana e shteteve pjesëmarrëse në zhvillimin e industrisë së naftës në Iran, nuk duhet t’i kushtohet vëmendje lajmeve të tilla, përveç kësaj po ushtrohet një presion i madh nga ana e Amerikës mbi kompanitë e mëdha për të ndërprerë bashkëpunimin me Iranin”.

Në lidhje me operacionet ushtarake të Turqisë në veri të Sirisë, z. Kasemi tha: “Asnjë shtet nuk mund të kryejë operacione ushtarake në territorin e Sirisë pa lejen e qeverisë qendrore të këtij vendi dhe kjo është politika e përgjithshme e Republikës Islamike të Iranit, prandaj nëse nuk respektohet ky parim, atëherë mund të krijohen probleme dhe pengesa në progresin e procesit të negociatave të Astanasë në lidhje me krizën e Sirisë”.

Kasemi në vazhdim vuri në dukje çështjen e mbështetjes së Iranit ndaj arritjes së armëpushimit në Jemen dhe deklaroi: “Që nga fillimi i agresionit ushtarak të Arabisë Saudite kundër Jemenit, qëndrimet e Teheranit në lidhje me këtë krizë kanë qenë plotësisht të qarta dhe në këtë kuadër është paraqitur plani katër pikësh i Republikës Islamike të Iranit për vendosjen e armëpushimit dhe për krijimin e kushteve për dërgimin e ndihmave humanitare deri në zhvillimin e bisedimeve mes palëve jemenase për formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Iranit u shpreh optimist se bisedimet e Stokholmit do të jenë një fillim pozitiv për popullin e Jemenit dhe të marrë fund agresioni ushtarak dhe shkatërrimi i infrastrukturës së këtij vendi.

Advertisements