Breaking News

Luftanijet amerikane në Detin e Zi dhe reagimi i ashpër rus

Sipas raporteve të medias, Ushtria amerikane ka kërkuar nga Departamenti i Shtetit të njoftojë qeverinë turke rreth qëllimit të saj për të dërguar një anije luftarake amerikane në Detin e Zi.

Ky vendim i SHBA vjen në përgjigje të një incidenti detar në ngushticën Kerç më 25 nëntor, kur tre anije të Flotës së Ukrainës hynë në ujërat territoriale ruse në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare. Autoritetet ruse kapën anijet pasi nuk iu përgjigjën kërkesave për të ndaluar dhe arrestuan 24 marinarë ukrainas të cilët ishin në bordin e anijeve, njoftoi CNN duke cituar tre burime qeveritare. Njoftimi i DASH do t’i japë Marinës së SHBA një mundësi për të hyrë në zonë, por nuk është një tregues se një veprim i tillë do të merret medoemos, u cituan burimet të thoshin për CNN. Raporti theksoi se ky veprim mund të rriste tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Rusisë që të lirojë marinarët ukrainas dhe të kthejë në Ukrainë anijet e sekuestruara. Ndërkohë, zëvendëskryetari i Këshillit të Mbrojtjes të Dumës ruse, Yuriy Shvitkin, pas paralajmërimeve se SHBA ka filluar përgatitjet për dërgimin e anijeve luftarake në Detin e Zi, paralajmëroi se Rusia do të përgjigjet ndaj paraqitjes së mundshme të anijeve të SHBA-së në Detin e Zi. “Pa marrë parasysh se nga vjen agresioni apo veprimi provokues, nga Ukraina apo nga Amerika, kjo nuk ka rëndësi për ne. Për ne, kufiri shtetëror është i pacënueshëm. Ne do t’i përgjigjemi në mënyrë të përshtatshme. Unë me të vërtetë nuk do të dëshiroja që nëndetëset tona të lundrojnë deri në brigjet e Amerikës”, u tha gazetarëve Shvitkin. Televizioni amerikan CNN, duke cituar burime njoftoi se SHBA ka filluar përgatitjet për dërgimin e anijeve luftarake në Detin e Zi pas një incidenti në kalimin Kerç, ku anijet ukrainase u ndaluan nga marina ruse. “Destrojeri i Marinës së SHBA, që po kalon pranë bazës së Flotës së Paqësorit të Rusisë, nuk ka hyrë në ujërat territoriale të Rusisë, por veprime të tilla janë provokuese nga natyra”, tha Shvitkin. Më herët, marina amerikane njoftoi se destrojeri raketahedhës “McCampbell” kaloi pranë gjirit  Petri i Madh në rajonin Primorje, ku ndodhet baza e Flotës Ruse e Paqësorit.

Advertisements