Breaking News

Senatorët amerikan: Bin Selman përgjegjës për vrasjen e Khashoggi

Një grup senatorësh amerikan nga radhët e demokratëve dhe republikanëve, në kuadër të presioneve të Kongresit ndaj qeverisë së Donald Trump lidhur me marrëdhëniet me Arabinë Saudite, kanë  dërguar një rezolutë në Kongresin amerikan në të cilin princi i Arabisë Saudite, Muhamed bin Sleman njihet përgjegjës për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

6 pjesëtarë të Senatit amerikan nga të dyja partitë, në këtë rezolutë jo të detyrueshme, e kanë cilësuar princin bin Selman përgjegjës për vrasjen e gazetarit kritik saudit Khashoggi. Rezoluta e propozuar për Kongresin amerikan është hartuar nga Lindsey Graham senator republikan dhe në të thuhet se princi bin Selman ka dërguar në Stamboll një ekip prej 15 personash për të vrarë gazetarin Khashoggi. Senati amerikan është i bindur në implikimin e tij në këtë vrasje. Edhe Bob Krocker, kryetar i komitetit për marrëdhëniet me jashtë në Senatin amerikan ka thënë se ky komitet do të mbajë një votim për vendosjen e sanksioneve kundër Arabisë Saudite. Ky votim është njëkohësisht me rezolutën për kufizimin e mbështetjes së Amerikës ndaj luftës së imponuar të sauditëve kundër popullit jemenas dhe që sipas Krocker kjo rezolutë ka shumë gjasa të miratohet. Ndërkohë sekretari amerikan i mbrojtjes James Mattis ka thënë se për dosjen e vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi ka nevojë për më shumë fakte dhe dëshmi dhe deri tani nuk ka informacione se kush është implikuar në vrasjen  e tij. Pjesëtarë të Komitetit të Marrëdhënieve të jashtme në Senat nuk folën aspak me delikatesë pas seancës informuese me drejtoreshën e CIA-s, Gina Haspel, ditën e martë. Senatorë amerikanë janë shprehur më të bindur se kurrë më parë, pas një seance private informative nga CIA, se princi i kurorës së Arabisë Saudite ka rol në vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi. Në atë që përbën edhe sulmin më të ashpër, senatori Lindsey Graham tha se “kishte shumë besim” se Muhamed bin Selman ishte bashkëfajtor në vrasjen e Khashoggit. Republikani nga Karolina e Jugut e përshkroi princin saudit si një “shkatërrimtar”, “të çmendur” dhe “të rrezikshëm”. Në Arabi, ndërkohë, janë akuzuar 11 persona si të dyshuar apo të përfshirë në vrasjen, por mohojnë me këmbëngulje që princi i kurorës të ketë qenë i përfshirë. “Nuk ekziston vetëm një provë e pakundërshtueshme inkriminuese, por prova sharrimi”, tha Graham duke iu referuar copëtimit (gjymtimit) të pretenduar të Khashoggit në Konsullatën saudite në Stamboll, në muajin tetor. Senatori tha se nuk mund ta mbështesë më përfshirjen e Arabisë Saudite në luftën e Jemenit, apo shitjen e armëve te qeveria saudite, për sa kohë që princi i kurorës mbetet në pushtet. Pikëpamjen e tij e ndau edhe senatori demokrat i Neë Jersey, Bob Menendez. Sipas tij “Shtetet e Bashkuara duhet të japin një mesazh të qartë dhe të paekuivok se, të tilla veprime janë të papranueshme në arenën botërore”. Edhe senatori tjetër Bob Corker foli për reporterët, por duke mos ia përmendur emrin princin, thjesht inicialet. “Nuk kam as më të voglin dyshim në mendjen time se princi i kurorës MBS urdhëroi vrasjen. Nëse ai do të mund të dilte përpara një jurie amerikane, ai do të shpallej fajtor brenda 30 minutash. FAJTOR!” u shpreh republikani nga Tennessee. Corker sugjeroi madje se presidenti Donald Trump e kishte miratuar vrasjen e gazetarit, me refuzimin e tij për të dënuar princin saudit të kurorës.

Advertisements