Breaking News

Ndryshimet klimatike, paralajmërimi: Bota në udhëkryq!

Katër figura të larta, që qëndrojnë pas përpjekjeve për kufizimin e ndryshimeve klimatike, kanë paralajmëruar se planeti është në një udhëkryq, ndërkohë që bisedimet u hapën një ditë më herët në Poloni.

Në një lëvizje të rrallë, 4 presidentë të bisedimeve të mbështetura nga Kombet e Bashkuara, bënë apel për veprim.

“Një ndërhyrje emergjente në dy vitet e ardhshme është thelbësore. Ajo që ministrat dhe krerët e tjerë thonë dhe bëjnë në Katovicë, do të ndihmojë në përcaktimin e politikave në vitet e ardhshme, për ta sjellë botën më afër objektivave të marrëveshjes së Parisit. Vonesat e bëjnë më të vështirë dhe më të shtrenjtë reagimin ndaj ndryshimeve klimatike”, tha njëri prej tyre.

Takimi në Katovicë është më kritiku për ndryshimet e klimës, që nga marrëveshja e Parisit e vitit 2015. Ekspertët thonë se reduktimet drastike të emetimeve janë të domosdoshme, nëse bota do të arrijë objektivat e Parisit.

Negociatorët në konferencën “COP24” u mblodhën një ditë më herët, sepse janë nën presion për të arritur progres. Ndërkohë, Banka Botërore ka lajmëruar një financim prej 200 miliardë dollarësh në 5 vitet e ardhshme, për të mbështetur vendet që do të ndërmarrin masa kundër ndryshimeve të klimës.

Kjo konferencë është e para që mbahet pas raportit të panelit ndërqeveritar për ndryshimet klimatike, që raportoi se kufizimi i rritjes së temperaturës globale në 1.5 gradë Celsius është i domosdoshëm. Paneli nënvizoi se mbajtja e temperaturave nën këtë limit do të kërkonte që qeveritë të reduktonin emetimet e gazrave që shkaktojnë efektin serë, me 45 për qind deri në vitin 2030.

Por, një studim i kohëve të fundit tregoi se emetimet e dioksidit të karbonit janë në rritje, pasi kishin mbetur në nivele të njëjta prej 4 vitesh.

Ndërkohë, sipas një studimi të ri, deklaratat dhe veprimet e presidentit amerikan, Donald Trump, po kufizojnë përpjekjet globale për të reduktuar karbonin. Analiza nënvizon se, tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja e Parisit ka krijuar një mburojë politike për të tjerët, që nuk po realizojnë angazhimet e tyre.

Konferenca e Katovicës do të zgjasë për dy javë dhe në fokus ka pikërisht të ardhmen e marrëveshjes së Parisit.

Advertisements