Breaking News

Kasemi: Mekanizmi financiar i Iranit dhe Bashkimit Evropian po ndiqet me seriozitet

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Iranit deklaroi se mekanizmi financiar i Iranit dhe Bashkimit Evropian (SPV) po vazhdon të ndiqet me seriozitet dhe pritjet e Republikës Islamike të Iranit në këtë drejtim janë plotësisht të qarta.

Agjencia e lajmeve IRIB njoftoi se Bahram Kasemi, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, të hënën në konferencën për shtyp me gazetar iranianë dhe të huaj, tha: “Për shkaqe të veçanta akoma nuk është plotësuar tërësisht korniza e programit SPV, ndërkohë që Teherani po insiston që palët e tjera të veprojnë me vullnet dhe seriozitet më të madh në mënyrë që sa më shpejtë të futet në zbatim mekanizmi financiar mes të dy palëve”.

Në lidhje me zgjatjen e kohës së zbatimit të zotimeve të Evropës pas daljes së njëanshme të Amerikës nga marrëveshja bërthamore, z. Kasemi tha: “Procesi i zbatimit të mekanizmit financiar kërkon kohë më të gjatë dhe është një proces i ndërlikuar që po ndiqet njëkohësisht me presionet e pakufishme të Amerikës që po krijon pengesa në këtë drejtim”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit në lidhje me valën e re të propagandës së Amerikës kundër programit raketor të Iranit dhe deklaratat e Brayan Huk, shefit të grupit për veprim ndaj Iranit në Departamentin Amerikan të Shtetit në lidhje me ekzistencën e opsionit ushtarak, theksoi: “Deklaratat e këtij funksionari amerikan kohë pas kohe hyjnë në skena propagandistike që shumë prej tyre nuk kanë vlerë as të marrin përgjigje, për arsye se janë tërësisht të palogjikshme. Forcimi i kapaciteteve mbrojtëse është pjesë e politikës mbrojtëse dhe parandaluese të Republikës Islamike të Iranit dhe të tjerët nuk mund të pengojnë forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Iranit”.

“Në kohën kur Amerika po eksporton lloje të ndryshme të armëve destruktive dhe vrasëse në vendet e rajonit të Lindjes së Mesme dhe vazhdimisht po krijon kriza në këtë rajon, me padyshim se nuk mund të japë sugjerim për vendet e tjera në lidhje me forcimin e kapacitetit mbrojtës të tyre. Sa i përket çështjes së opsionit ushtarak kundër Iranit, duhet thënë se këtij opsioni i ka skaduar afati dhe nuk ka mundësi të vendoset në zbatim. Kjo çështje tregon më shumë papjekurinë e Huk, për arsye se Irani është një vend i fuqishëm dhe dallon nga vendet e tjera të cilat janë pushtuar nga Amerika”, theksoi ndër të tjera Kasemi.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit reagoi edhe ndaj shtimit të pretendimeve kërcënuese të Amerikës kundër Iranit dhe provokimit të aparatit diplomatik pas daljes së njëanshme të Amerikës nga marrëveshja bërthamore dhe tha: “Kërcënimet e Uashingtonit kundër Teheranit nuk përbëjnë ndonjë temë të re, sepse iranofobia dhe përpjekjet për ta dobësuar sa më shumë Iranin kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë prej politikave të dalluara të Amerikës pas fitores së Revolucionit Islamik të Iranit”.

Advertisements