Breaking News

Hahn shkon pa paralajmërim në Beograd, para Prishtinës

Komisioneri Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn para se të vijë në Prishtinë do të qëndrojë në Beograd për të biseduar me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq shkruan Tanjug.

Diçka të tillë nuk ka paralajmëruar komisioneri Hahn, madje nuk e ka as në agjendën e tij që është publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Evropian. Lajmin se Hahn do të qëndrojë fillimisht në Beograd e pastaj do të niset për Prishtinë, e kanë dhënë për “Tanjug”,  burime brenda Komisionit Evropian. “Komisari do të përsëris qëndrimin e BE-së, do t’u bëjë thirrje në tërheqjen e masave dhe të paraqes nevojën që të përqendrohen në përmirësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore dhe në bashkëpunimin rajonal që janë parime që i kanë pranuar edhe Kosova edhe të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor”, është thënë për “Tanjugun” nga Komisioni Evropian. Ndryshe, përfaqësuesit e Listës Serbe kanë hyrë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës ku janë duke qëndruar deri në ardhjen e komisarit evropian, Johannes Hahn. Presidenti i kësaj Liste, Goran Rakiq, ka njoftuar se pas takimit të jashtëzakonshëm të të ashtuquajturit shtab i krizës në Mitrovicë, deputetët serbë kanë hyrë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. “Momentalisht jemi duke u kthyer nga takimi i shtabit të krizave dhe dëshiroj të ju njoftoj se përfaqësuesit e Listës Serbe kanë hyrë në Kuvend në Prishtinë ku do të qëndrojnë deri në ardhjen e Hahnit të cilin do ta njoftojmë me hapat anti-serbë që çojnë kah katastrofa humanitare”, ka thënë Rakiqi, raporton televizioni publik serb.

Advertisements