Breaking News

Nëse Serbia nuk ka nevojë për dialog, s’ka as Kosova

Taksa e vendosur nga Kosova ndaj Serbisë, është vendosur si masë ekonomike ndaj një veprimi politik. Kosova nuk duhet të lëshoj pe, por duhet ta mbaj këtë qëndrim sepse nuk ka çka humb.

Kështu kanë vlerësuar njohësit e çështjeve politike në Kosovë. Analisti Ramush Tahiri, ka thënë se marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Serbisë ka kohë që janë ashpërsuar. Sipas tij, Serbia jo vetëm që nuk e njeh Kosovën si shtet por edhe po ndikon në anëtarësimin e saj, në organizata të ndryshme. “Taksa është vendosur si masë ekonomike ndaj një veprimi politik. Është e drejtë e secilit vend, sepse politika vazhdon edhe me mjete ekonomike, etj. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë të mira. Ka një kohë që po ashpërsohen për shkak se ka pikëpamje shumë të ndryshme rreth çështjes përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë. Serbia nuk e pranon pavarësinë  e Kosovës dhe po ndikon që Kosova të ketë pengesa në anëtarësim dhe në vija tjera”, ka thënë Tahiri. Ai po ashtu tha se kërcënimet e Vuçiqit për dialog janë boshe. Tahiri u shpreh se nëse Serbia nuk ka nevojë për dialog edhe Kosova nuk e ka këtë nevojë. “Dialogu po shfrytëzohet si konferencë statusore për Kosovën. Në këtë bazë Kosova po humb nga këto bisedime ose po i shfrytëzon keq politikisht. Nëse taksa 100 për qind kushtëzohet nga Vuçiqi me dialog, dhe nëse Serbia s’ka nevojë për dialog besoj që s’ka dialog dhe Kosova në këtë dialog apo formë që po bëhet e që është kërcënim bosh i Vuçiqit”, tha ndër të tjera Tahiri. Edhe analisti Imer Mushkolaj, vlerësoi se një qasje e tillë e Qeverisë është dashur të aplikohet qysh nga fillimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Mushkolaj tha se vendimi i Qeverisë së Kosovës, mund të ndikoj në dialogun mes dy palëve. Por siç tha ai, meqë Kosova nuk është e fuqishme ta kushtëzoj Kosovën politikisht atëherë ta kushtëzoj ekonomikisht. “Kosova nuk duhet të lëshoj pe, duhet ta mbaj këtë qëndrim sepse nuk ka çka humb. Bazuar në reagimin e Serbisë, po shihet që Serbia po humb në këtë proces. Në përgjithësi na duket që është një veprim radikal por më  mirë tash se sa kurrë. Një qasje e tillë është dashur të aplikohet në dialog qysh nga fillimi i dialogut, fatkeqësisht kjo nuk është bërë. Ne gjatë gjithë kohës kemi marr pjesë në dialog jashtë kornizave si reciprociteti bazik. Kjo mund të ndikoj në dialog por në anën tjetër kjo mund të ndikoj edhe në qasjen e Serbisë karshi Kosovës në këtë rast edhe po shihet, se nëse vetëm kushtëzohet ekonomikisht e kupton gjuhën e kushtëzimit ekonomik, meqë politikisht nuk jemi të fuqishëm që ta kushtëzojmë”, theksoi ai. Mushkolaj gjithashtu potencoi se Kosova nuk duhet të merret shumë me çështjen nëse do të vazhdoj apo jo dialogu pas vendimit të Qeverisë në lidhje me taksën për produktet serbe. Ndryshe, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, një ditë më parë deklaroi se Beogradi është i gatshëm për vazhdimin e dialogut me Prishtinën, nëse shfuqizohet vendimi për rritjen e taksës për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Ndërsa Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se masat që janë vendosur për produktet që vijnë nga Serbia nuk duhet të hiqen derisa Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Haradinaj në seancën për politikën e jashtme, ka pranuar se politika e jashtme i ka të metat e veta dhe ka vend për kritikë. Sipas kryeministrit, në këto 10 vitet e fundit, kanë mësuar se vetëm përshtatja në rrethana të caktuara nuk mjafton pasi nuk ndërron asgjë.

Advertisements