Breaking News

Haradinaj: Kosova pret nga vendet e BE-së të respektojnë marrëveshjen për liberalizim

Ka nisur sot në Vjenë të Austrisë, Forumi Ekonomik i Vjenës, në të cilin Kosova po përfaqësohet nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ky Forum po shënon Jubileun e tij të 15-të, derisa temë e diskutimit është “Bashkëpunimi Rajonal si pjesë e Integrimit Evropian. Digjitalizimi në Ballkan “.

Haradinaj para të pranishmëve dhe Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, foli për realitetin ekonomik dhe infrastrukturor të Kosovës, planet dhe pritjet e bashkëpunimeve mes vendeve të regjionit. Tha se derisa promovojmë fqinjësi të mirë, duhet që edhe trajtimi të jetë i barabartë mes vendeve.

“Ndërsa diskutojmë për lidhjen rajonale, konkurrencën, shkathtësitë dhe mobilitetin, ne tentojmë të harrojmë dhe të anashkalojmë faktin se Kosova mbetet ende i vetmi vend në Evropë që vazhdon të mbetet i mbyllur, duke na u mohuar e drejta për lëvizjen e lirë të vizave. Po, është mbyllur nga BE-ja”, tha Kryeministri Haradinaj, duke theksuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha 95 kriteret teknike dhe politike të kërkuara nga BE-ja.

Haradinaj, ka përmendur edhe barrierat ekzistuese jo-tarifore që imponohen vazhdimisht për produktet dhe kompanitë e Kosovës, ndalesat dhe vonesat e zgjatura të kamionëve dhe makinave në vendkalimet kufitare me Serbinë, duke thënë se këto veprime e dëmtojnë drejtpërdrejt GDP-në tonë.

“Nuk mund të zbatohet asnjë marrëveshje ndërkombëtare pa trajtim të njëjtë të palëve”, tha Haradinaj, duke shtuar se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bashkëpunojnë dhe të kenë një angazhim konstruktiv ndaj parimeve dhe frymës së bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Kryeministri Haradinaj, theksoi faktin se Kosova ka përqafuar të gjitha agjendat dhe iniciativat dhe është e përkushtuar që të punojë ngushtë tani dhe në të ardhmen për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe për të krijuar partneritete të reja me secilin fqinj të bazuar në Investimet, Lëvizshmërinë Tregtare dhe Digjitalizimin, si shtyllat kryesore të lidhjes mes nesh dhe rajonit dhe BE-së.

Advertisements