Breaking News

Republikanët marrin shumicën në Senat, demokratët shpallin fitoren në Dhomën e Përfaqësuesve

Republikanët deri më tani me marrjen e 51 vendeve në Senat, kanë arritur të ruajnë shumicën në këtë dhomë të Kongresit amerikan.

Sipas agjencisë së lajmeve IRNA, republikanët deri më tani kanë arritur të marrin 51 vende në Senat kundrejt 43 vendeve që kanë marrë demokratët. Demokratët shpallin fitoren për Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e së martës, ndërsa republikanët duket se kanë mbajtur kontrollin e Senatit. Kryetarja e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, në krah të figurave të tjera me peshë, doli para mbështetësve demokratë, duke thënë se është një ditë e re për Amerikën. “Urime të gjithë atyre kandidatëve të jashtëzakonshëm, dinamikë, të larmishëm që e rimorën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në emër të popullit amerikan”, tha ajo. Megjithëse demokratët fituan në disa gara kyçe të martën, ata nuk realizuan atë që po quhej “valë blu” fitoresh në zgjedhjet e Kongresit dhe që analistët kishin thënë se do të kishte qenë një kundërshtim ndaj presidencës së presidentit Donald Trump. Mbajtja e kontrollit të Senatit nga republikanët u duk thuajse i padiskutueshëm kur demokratët humbën gara kyçe në Indiana dhe Tenesi, dy shtete që Presidenti Trump i fitoi lehtësisht në vitin 2016. Megjithatë, demokrati nga Virxhinia Perëndimore, Joe Manchin arriti ta mbante vendin e tij në senat dhe fitoi ndaj republikanit, Patrick Morrisey, prokurori i përgjithshën i këtij shteti. Parashikimet për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, vijnë ndërsa qendrat e votimit po mbyllen në gjithë vendin. Demokratët siguruan fitoren e parë të rëndësishme në Virxhinia, në rrethinat e Uashingtonit, ku Jennifer Ëexton, një prokurore dhe senatore e legjislaturës së shtetit, fitoi ndaj anëtares aktuale të Dhomës së Përfaqësuesve, Barbara Comstock. Me humbjen e zonjës Comstock, një tjetër fitore demokrate në Florida, dy të tjera në Pensilani dhe dy në Kolorado, si edhe disa në shtete të tjera, demokratët arritën të marrin shumicën e Dhomës së Përfaqësuesve. Demokratja Donna Shalala, ish-sekretare e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Sociale fitoi ndaj republikanes, Maria Elvira Salazar për një vend që mbahej nga anëtarja veterane republikane e Kongresit, Ileana Ros-Lehtinen nga Florida.

Advertisements