Breaking News

Tetë kongresmenë i shkruajnë Sekretarit të DASH një letër të veçantë për Kosovën

Tetë kongresmenë amerikanë kanë kërkuar nga Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Mike Pompeo, që të ndihmojë në përpjekjet për të kërkuar një zgjidhje paqësore, të qëndrueshme dhe të negociuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas mediave serbe, në një letër që i kanë dërguar Pompeos, kongresmenët kanë thënë se një pikë e tillë kthese diplomatike jo vetëm që do të hapte mundësinë e arritjes së paqes dhe stabilitetit afatgjatë në Ballkan, por do të ishte edhe një konfirmim për angazhimin e SHBA-së për sigurinë transatlantike. “Nisma për pajtim me Kosovën ofron një mundësi unike për të pastruar rrugën e integrimit të qetë e të gjithë rajonit të Ballkanit në shoqërinë perëndimore”, thuhet në letrën e dërguar. Ata gjithashtu kanë apeluar tek Sekretari i Shtetit që të vazhdojë të mbështesë këto përpjekje, të cilat ata i shohin si vendimtare për paqen në të ardhmen dhe sigurinë e të gjithë rajonit të Ballkanit. Sipas mediave serbe, kongresmenët mirëpresin deklaratën e Këshilltarit për Siguri Kombëtare, John Bolton, i cili kishte thënë se “nuk do të bëhemi pengesë dhe nuk mendoj se dikush në Evropë mund të bëhet pengesë, nëse palët arrijnë marrëveshje”. Kongresmenët amerikanë kanë thënë gjithashtu se është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara për të siguruar se negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës të mos dështojnë dhe shtojnë se për këtë arsye do të ishte e domosdoshme për Shtetet e Bashkuara që në mënyrë proaktive të ndërmjetësojnë kompromise në të dy anët, kështu që të arrihet një marrëveshje e plotë në kuadër të procesit (të dialogut) të Brukselit. Mediat serbe shkruajnë se letra është nënshkruar më 31 tetor nga kongresmenët Ted Poe, Emanuel Cleaver, Steve Stivers, Scott Perry, Brian Fitzpatrick, Dana Rohrabacher, si dhe nga Joe Wilson e Steve Chabot.

Advertisements