Breaking News

Evropa nën lidershipin e Gjermanisë po shkon drejt një Lufte të re të Ftohtë?

Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit janë tensionuar vazhdimisht në vitet e fundit. Ky proces është përkeqësuar veçanërisht me fillimin e krizës së Ukrainës në vitin 2014 dhe përpjekjet perëndimore për të vendosur sanksione kundër Rusisë në mënyrë që ta detyrojnë atë të rikthejë Krimenë në Ukrainë dhe të mos ndërhyjë në pjesën lindore të vendit.

Në të njëjtën kohë, veprimet e NATO-s dhe SHBA-ve kundër Rusisë janë rritur. Presidenti çek Milosh Zeman ka thënë se ndërsa Rusia dhe Evropa nuk bien dakord për çështje të caktuara, është ende e rëndësishme të mbahen komunikimet me Moskën. “Ne nuk duhet doemos të pajtohemi me Rusinë, por ne duhet të flasim me njëri-tjetrin, gjëja më e keqe që mund të bëjmë është të shpërfillim njëri-tjetrin, kur njerëzit nuk flasin, atëherë nuk ka komunikim mes tyre, marrëdhëniet nuk zhvillohen. Më vjen keq për ata njerëz që gëzohen për gjetjen e armiqve “, tha presidenti çek. Kryeministri çek Andrej Babis ndau qëndrimin e presidentit për domosdoshmërinë e ruajtjes së komunikimit me Rusinë. “Nuk e perceptoj Rusinë si një kërcënim, është e domosdoshme të kemi një dialog aktiv me Rusinë, në veçanti, mbi situatën në Siri. Mendoj se Evropa nuk ishte mjaft aktive në zhvillimin e ngjarjeve në këtë vend, ajo humbi vrullin dhe iniciativën. Ne jemi shumë të interesuar për stabilizimin e situatës në Siri, në mënyrë që qytetarët e saj të mund të kthehen në shtëpi, gjë që do të ketë një ndikim të rëndësishëm në problemin e migracionit në Evropë “, tha kryeministri çek. Por SHBA dhe NATO duket se janë të vendosur të vazhdojnë veprimet kërcënuese në afërsi të kufijve të Rusisë. Stërvitja më e madhe ushtarake e NATO-s që nga fundi i Luftës së Ftohtë, e quajtur “Trident Junckture 18”, ka nisur më 25 Tetor në Norvegji dhe do të vijojë deri më 7 nëntor, në atë që do të jetë një shpalosje masive e forcës. Rreth 50 mijë trupa, nga 31 vende (29 anëtarë të NATO-s plus Suedinë dhe Finlandën), do të marrin pjesë në manovra. Ato organizohen në Norvegjinë Qendrore, në Atlantikun Verior e Detin Baltik, si dhe në hapësirën ajrore norvegjeze, suedeze dhe finlandeze. Ndërkohë, shtetet evropiane kanë filluar manovra të mëdha detare në Detin Baltik, me Gjermaninë që ka marrë një rol udhëheqës. Ata janë duke u përgatitur për  atë që e quajnë ‘kërcënimi rus’. Reuters raportoi se të hënën Gjermania do të fillojë stërvitjet kryesore detare përgjatë brigjeve finlandeze, të cilat përfshijnë 3600 marinarë dhe trupa, 40 luftanije dhe 30 avionë nga më shumë se një 20 vende evropiane. Fokusi i stërvitjeve është që Deti Baltik të mbahet i sigurt për transportin tregtar. Rusia ka deklaruar vazhdimisht se nuk ka ndërmend të kërcënojë askënd në Evropë me një ofensivë ushtarake. Megjithatë, duke iu përgjigjur vendosjes së një sistemi mbrojtës raketor të SHBA, i cili, sipas ekspertëve ushtarakë, mund të përdoret për të nisur edhe raketa ofensive, Rusia vendosi raketat Iskander-M në rajonin e Kaliningradit në vitin 2013. Që nga viti 2014, kur Krimeja votoi për t’u bashkuar me Rusinë dhe pas luftës civile të shkaktuar në Ukrainë, Gjermania po përpiqet të marrë një rol udhëheqës në Evropë sa i përket fuqisë detare, raporton Reuters, duke krijuar komandën e rregullt të flotës dhe duke filluar ndërtimin e një qendre të re komandimi në Rostock. Kjo sinjalizon se Gjermania ngadalë po heq dorë nga pasiviteti i saj pas Luftës së Dytë Botërore për të marrë udhëheqjen ushtarake të Evropës, thotë raporti. Ministrja gjermane e Mbrojtjes Ursula von der Leyen tha muajin e kaluar se Gjermania duhet “të marrë më shumë përgjegjësi për rajonin”. Dhe duket sikur Evropa është shumë e lumtur ta dorëzojë këtë iniciativë në Berlin. “Ne jemi shumë të lumtur që Gjermania ka marrë rolin udhëheqës në këtë sens”, tha shefi i marinës së Finlandës, Admiral Veijo Taipalus. Gjatë Luftës së Ftohtë dhe më pas, Shtetet e Bashkuara morën një rol udhëheqës në NATO, duke marrë përsipër përgjegjësinë për të mbrojtur Evropën nga Rusia. Megjithatë, Presidenti Trump i bëri thirrje BE-së, dhe Gjermanisë në veçanti, për të rritur shpenzimet e tyre të mbrojtjes. Duket sikur Evropa, e udhëhequr nga Berlini, më në fund vendosi ta bënte pikërisht këtë gjë, duke shtuar edhe më tepër mundësinë e fillimit të një Lufte të re të Ftohtë.

Advertisements