Breaking News

Pa njohjen e Kosovës, Serbia nuk mund të hyjë në BE

Deputeti i Parlamentit të Gjermanisë nga partia e kancelares Angela Merkel, CDU, Peter Beyer, pas Prishtinës ka vizituar edhe Beogradin, ku autoriteteve serbe u ka bërë të qartë qëndrimin e Gjermanisë për dialogun Kosovë – Serbi dhe kundërshtimin e idesë për shkëmbimin e territoreve.

Beyer ka thënë se Kosova është një shtet i pavarur dhe se Serbia duhet ta njohë atë, sepse Serbia, siç tha, ai nuk do të mund të hyjë në BE nëse nuk e bën këtë gjë. “Është e rëndësishme që të gjithë ta kuptojnë se nga fillimi i procesit të dialogut është e qartë që normalizimi i marrëdhënieve ose dialogu në përgjithësi nuk do të normalizohet pa njohjen ‘de facto’ të integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, ka shpjeguar Beyer, duke dhënë edhe interpretimin e gjermanëve në zgjidhjen përfundimtare të problemit me Kosovën. Siç raporton B92, Beyer përsëriti edhe në vizitën e tij në Beograd se Gjermania është kundër shkëmbimit të territorit ose korrigjimit të kufirit. Beyer gjithashtu deklaron se vizita e tij në Beograd, përveç njohjes së progresit të Serbisë në procesin e integrimit evropian, përcolli pikëpamjen e Gjermanisë se ideja e shkëmbimit të territorit është e keqe dhe e rrezikshme. “Ne nuk po mendojmë të mbështetim fare ide të tilla dhe se pozicioni i Kancelares gjermane Angela Merkel nuk do të ndryshojë dhe kjo është gjëja kryesore që unë dua të përcjell si një mesazh nga Berlini”, shpjegoi Beyer, i cili të njëjtën deklaratë e ka dhënë edhe gjatë vizitës së tij të djeshme në Prishtinë. Ai kujton se Merkel është e vetmja që e ka thënë qartë se kjo nuk është një ide e mirë dhe se është e rrezikshme, jo vetëm për stabilitetin e Serbisë dhe Kosovës, por edhe për pjesë të tjera të Evropës Lindore, dhe pikërisht për këtë arsye ai shtoi se “gjithkush duhet të heqë dorë nga një ide e tillë menjëherë”. I pyetur se çfarë e sheh Gjermania si një zgjidhje e mundshme, Beyer këshillon: “Ju përqendrohuni në marrëveshjen e Brukselit dhe zbatimin e saj, nuk ka kushte të reja apo linjat e kuqe që po bëjmë. Unë besoj se të dyja palët, serbët dhe kosovarët, si dhe Komisioni i BE-së dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, duhet të kthehen dhe të lexojnë atë që është rënë dakord në marrëveshjen e Brukselit dhe atë që është arritur deri më tani “, tha ai. Në të njëjtën kohë, ai thekson se procesi i dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës nuk është i vdekur, as nuk beson në mundësinë e konfliktit të ngrirë. “Ne e dimë që dialogu po vazhdon në nivelin teknik dhe kjo është progres që tregon qartë se procesi nuk ka vdekur: kjo nuk është konflikt i ngrirë, as do të jetë. Serbia dhe Kosova, si dhe BE-ja duhet të jetë aktiv dhe askush nuk duhet të zvarritet”, tha ai.

Advertisements