Breaking News

Sanksionet amerikane janë shantazh dhe grabitje

Nënpresidenti i parë i Iranit tha: “Morali dhe shpirti iranian nuk lejon negociata me qeverinë aktuale të  Shteteve të Bashkuara, e cila po shkel marrëveshjet ndërkombëtare dhe e deklaron në mënyrë eksplicite se po zhvillon një luftë ekonomike kundër popullit të Iranit”.

Sipas agjencisë së lajmeve IRIB, Is’hak Xhahangiri, nënpresidenti i parë i Iranit, duke folur të dielën në simpoziumin e njëzetedytë të eksporteve kombëtare në Teheran, shtoi: Amerikanët së pari duhet të heqin dorë nga logjika e prepotencës, sepse kombi iranian është një popull i logjikës dhe dialogut në një nivel të barabartë. Nënpresidenti i parë tha se qëllimi kryesor i amerikanëve me sanksionet e 4 nëntorit ishte të bllokojë bankat e Iranit dhe të ardhurat e naftës, dhe shtoi: Në muajt e fundit, ata sa kanë mundur kanë ushtruar trysni mbi vendet e tjera që të mos bashkëpunojnë me Iranin. “Disa vende kanë ndërprerë bashkëpunimin e tyre, disa nuk e kanë bërë këtë. Natyrisht, Irani ka gjetur partnerë të rinj biznesi”, tha z. Xhahangiri duke shtuar: “Shtetet e Bashkuara janë të vetmuara në vendosjen e regjimit të sanksioneve kundër Iranit dhe vetëm regjimi sionist dhe Arabia Saudite po e shtyjnë Uashingtonin të ushtrojë presion mbi Iranin”. Nënpresidenti i parë i Iranit i përshkroi sanksionet e SHBA si shantazh dhe grabitje dhe theksoi: Sektori privat duhet të vijë në skenë me gjithë fuqinë e tij për të kaluar me sukses periudhën e sanksioneve.

Advertisements