Breaking News

Kuvendi Kosovës nis debatin për transformimin e FSK-së

Janë tri projektligje të propozuara nga Qeveria e Kosovës për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilat po shqyrtohen nga ligjvënësit në kuvend.

Përmes këtyre tri projektligjeve, po synohet që Forca e Sigurisë së Kosovës të transformohet në një forcë me kapacitete shtesë, përfshi edhe përgjegjësi të mbrojtjes, por pa prekur në emrin e saj.

Shumica e deputetëve po e trajtojnë këtë transformim si hap përpara drejtë formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.

Në rend dite janë shqyrtimi i parë i Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha prezantoi fillimisht Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, për të cilin tha se hartimi dhe procedimi është mbështetur në normat kushtetuese në mënyrë që të mundësohet riorganizimi dhe kalimi nga Ministria e FSK-së në Ministrinë e Mbrojtjes.

“Ministria e Mbrojtjes do të harton dhe zbaton politikat e përgjithshme shtetërore të mbrojtjes në nivel strategjik si dhe do të ushtron funksionet dhe kompetencat e saj në përputhje me kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, tha ministri Berisha.

Paraprakisht, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Qeveria e Kosovës e mirëpret shqyrtimin në lexim të parë të ligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ndërkaq gjatë debatit parlamentar, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se angazhimi i Kosovës për mandat të ri për FSK-në, nuk është kërkesë që tejkalon atë që tashmë vendet e rajonit e kanë, përkatësisht ushtrinë. Ai i quajti të pabaza deklaratat në Beograd kundër ushtrisë së Kosovës.

“Vetëm ata që janë kundër NATO-s, janë kundër mandatit të ri të FSK-së dhe vetëm ata që janë kundër interesave euro atlantike në Kosovë e rajon janë kundër që shteti i Kosovës ta ketë ushtrinë. Vetëm ata që promovojnë interesa tjera në Ballkan, si ato të federatës ruse apo të ngjashme, janë kundër ushtrisë së Kosovës”, deklaroi Hoti.

Transformimin e FSK-së e kanë mbështetur edhe Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Partia Socialdemokrate, Nisma Socialdemokrate si dhe partitë e komuniteteve joserbe.

Advertisements