Breaking News

Vermeulen: Kosova mund të shkojë drejt krizës fiskale

“Buxheti i Kosovës nuk mund të përballojë një rritje aq të shpejtë të shpenzimeve për skemat sociale. Të mos i përmendim skemat e tjera pensionale që janë duke u shqyrtuar. Po që se do të zbatoheshin edhe ato, shpenzimet do të rriteshin në shkallë të paqëndrueshme”, thotë ndër të tjera në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovë, Ruud Vermeulen.

Radio Evropa e Lirë: Më shume se 350 mijë qytetarë të Kosovës marrin para nga skemat sociale dhe pensionale, ky numër mund të rritet. Qeveria e Kosovës paguan 370 milionë euro për këto skema. A do ta sjell kjo në krizë buxhetin?

Ruud Vermeulen: Tingëllon shumë alarmuese të flasim për një krizë në këtë pikë. Megjithatë, nëse shikojmë trendet dhe presionin në rritje për të futur në zbatim skema të reja të pakuptimta kategorike sociale- qoftë për mësimdhënësit, policët, minatorët e Trepçës, e kështu me radhë – Kosova mund të jetë në rrugën e krijimit të një krize fiskale. Kjo është natyrisht diçka që ne do të donim ta shmangnim.

Vitin e kaluar, Kosova shpenzoi diku 383 milionë euro për skemat sociale, 30 për qind më shumë se në vitin 2015. Dy të tretat e kësaj rritje kanë ardhur vetëm për shkak të skemës për pensionet e veteranëve të luftës, derisa 13,300 veteranë të luftës kanë nisur të marrin pensione në pjesën e fundit të 2015-ës (më shumë se sa 12,000 që parashiheshin në fillim) dhe ky numër shkoi pastaj në 36,000 në fund të vitit të kaluar.

Këtë vit, parashihet që shpenzimet për skema sociale të shkojnë deri në mbi 400 milionë euro, një rritje prej më shumë se 10 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Rreth një e treta e kësaj rritje vjen sërish për shkak të skemës për veteranët e luftës meqë mbi 2000 përfitues të rinj janë shtuar këtë vit.

Nëse shohim përpara, buxheti i Kosovës nuk mund të përballojë një rritje aq të shpejtë të shpenzimeve për skemat sociale. Të mos i përmendim skemat e tjera pensionale që janë duke u shqyrtuar. Po që se do të zbatoheshin edhe ato, shpenzimet do të rriteshin në shkallë të paqëndrueshme.

Më lejoni të theksoj se kjo nuk është vetëm shqetësuese për shkak të kostos fiskale dhe diversionit të parasë së taksapaguesve që do të ishte në dispozicion për shpenzime më produktive në edukim, shëndetësi dhe infrastrukturë, por është shqetësuese edhe për shkak të ndikimit në tregun e punës.

Advertisements