Breaking News

Greqia kërkon dëmshpërblime të luftës nga Gjermania

Dëmet ekonomike nga lufta dhe okupimi edhe sot janë një temë grindjeje mes Greqisë dhe Gjermanisë.

Një komision i ekspertëve të Parlamentit grekë ka llogaritur në vitin 2015 se dëmet e luftës kanë qenë të paktën 289 miliardë Euro. Qeveria gjermane ka hedhur poshtë këto kërkesa, me pohimet se të gjitha obligimet gjermane për dëmet e luftës në Greqi janë paguar më parë. Por kjo çështje ngarkon raportet mes Gjermanisë dhe Greqisë edhe sot. Athina kërkon që këto dëme të luftës të paguhen. Në njërën anë bëhet fjalë për dëmet direkte të bëra nga trupat gjermane në kohën e Luftës së Dytë Botërore, plaçkitjet, vrasjet dhe shkatërrimet. Gjermania u ka paguar viktimave të krimeve të trupave naziste në Greqi 115 milionë Marka. Sipas një marrëveshje nga viti 1960, Gjermania ka qenë e detyruar të paguajë dëmet në bazë të kërkesave individuale. Por Greqia kërkon pagesa edhe për shkak të huave të imponuara shtetërore. Gjermania e ka detyruar Bankën Qendrore greke në vitin 1942 që t’u japë hua forcave gjermane atje, pa kurrfarë interesi, 476 milionë Marka. Me këto para Gjermania e atëhershme ka financuar kostot e okupimit të Greqisë. Këto para nuk janë paguar nga pala gjermane. Një komision i ekspertëve grekë është i mendimit se Gjermania mbi këtë bazë i ka borxh Greqisë rreth 11 miliardë Euro. Çështja e pagesave për dëmet e luftës ndaj Greqisë është hapur sërish pas krizës financiare dhe buxhetore të Greqisë, në vitin 2010. Athina ka kërkuar nga Bashkimi Evropian ndihma për të evituar falimentimin e shtetit. Ajo ka marrë kredi në borxhe prej rreth 274 miliardë Euro, ndër to të paktën 55 miliardë Euro nga Gjermania. Disa politikanë mendojnë se këto borxhe mund të mos kthehen dhe të llogariten si pagesa për borxhet e kohës së Luftës së Dytë Botërore. Por shumica dërrmuese e ekspertëve mendon se negociatat të reja për pagesën e dëmeve, 70 vjet pas përfundimit të Luftës, nuk do të ketë. Qeveria gjermane pohon se kjo çështje ka përfunduar.

Advertisements