Breaking News

Zaev: Deputetët ta përcaktojnë të ardhmen e qytetarëve drejt NATO-s dhe BE-së

Në Kuvend filloi seanca e Komisionit për ndryshime kushtetuese në të cilën në rend dite është Propozimi për fillimin e ndryshimeve të Kushtetutës në pajtim me Marrëveshjen e Prespës.

Kryeministri Zoran Zaev, i cili arsyetoi propozimin e Qeverisë, theksoi se nga shqyrtimet dhe reagimet e deritanishme në opinion nuk ka asgjë kontestuese në propozimin për ndryshime kushtetuese, i cili pas vendimit në Qeveri menjëherë ishte publikuar, duke i bërë thirrje deputetëve që të bashkohen rreth qëllimeve strategjike në vend.

Ai vlerësoi se për opinionin profesional dhe ekspert, ndryshimet janë në pajtim me standardet ndërkombëtare.

“Kjo iniciativë ngrihet në pajtim me ligjet dhe procedurat institucionale. Deputetët janë ata që duhet ta përcaktojnë të ardhmen e qytetarëve drejt NATO-s dhe BE-së dhe të prononcohen sipas vullnetit të tyre. Tani ka ardhur koha që të gjithë ata që janë për në NATO dhe në BE të përkrahin ndryshimet”, tha kryeministri.

Në seancë ishin të pranishëm deputetët e të gjitha grupeve parlamentare duke përfshirë edhe të OBRM-PDUKM-së, të cilët votuan “kundër” rendit të ditës në seancë./Telegrafi/

Advertisements