Breaking News

Pengesat e fundit në rrugëtimin drejt heqjes së vizave

Autoritetet në Prishtinë presin që në fund të këtij viti, vendet anëtare të Bashkimit Evropian të marrin vendim pozitiv lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Vendimi i ardhshëm i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian në lidhje me liberalizimin po pritet me vëmendje të shtuar, jo vetëm nga qytetarët, por edhe vetë zyrtarët e institucioneve.

Njohësit e integrimeve evropiane thonë se përfaqësuesit e institucioneve nuk duhet të nguten e të japim afate kohore e as data për liberalizimin e vizave, pasi që sipas tyre, vendimet në Këshillin e Ministrave të BE-së janë politike dhe mund të ndryshojnë.

Analisti i integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se ka vende në Bashkimin Evropian që janë ende skeptike lidhur me atë se a janë përmbushur kriteret dhe reformat e duhura për këtë proces.

“Skepticizmin e kemi parë kryesisht në tri vende, që është Gjermania, Franca dhe Holanda, vende të cilat kanë votuar në masë më të madhe kundër sa i përket këtij procesi dhe kanë hezitime – e këtu kryesisht po flas për Holandën dhe Francën – kurse Gjermania ka një lloj hezitimi. Kjo është vërejtur në Parlament dhe pak a shumë është indikacion edhe i pozicionimit të këtyre vendeve anëtare të BE-së në vendimin të cilin do ta marrin në Këshill”, thotë Kryeziu.

Kryeziu thotë se vendimmarrjet politike në Bashkimin Evropian ndikohen në forma të ndryshme.

Ai thotë se në një vendim mund të ndikojë gjendja në sistemin e drejtësisë, migrimi i mundshëm, por edhe temat e fundit të hapura në raporte me dialogun politik mes Kosovës dhe Serbisë.

“Çdo marrëveshje që Kosova e arrin me Serbinë duhet të jetë e qëndrueshme, duhet të jetë marrëveshje e cila mbështetet nga qytetarët, dhe nën tre është marrëveshje e cila prodhon stabilitet dhe jo destabilitet në rajon. Prandaj, nëse ne flasim për tema të korrigjimit të kufijve, shkëmbim i territorit e ide të tilla, kjo është një shuplakë fytyrës për të gjitha ato shtete të cilat e kanë njohur Republikën e Kosovës në këta kufij”, tha Kryeziu.

Advertisements