Breaking News

Analisti serb: Vuçiq i gatshëm ta njoh Kosovën në këmbim të anëtarësimit të Serbisë në BE

Katër ditë pasi urdhëroi ushtrinë serbe të ngrit gatishmërinë luftarake, presidenti serb Aleksandar Vuçiq po viziton Moskën, ku është takuar me homologun e tij rus Vladimir Putin.

Ndërsa, Vuçiq tha se situata e krijuar në veri të Kosovës pas “ndërhyrjes” së Policisë së Kosovës do të ishte pjesë e diskutimit me Putinin, Kremlini theksoi se vizita ishte planifikuar muaj më parë dhe kjo vizitë nuk lidhej drejtpërdrejt me tensionet në Ballkan. Vuçiq e vizitoi Rusinë në maj të këtij viti kur Rusia festonte “Ditën e Fitores”.

Mediumi rus “Russia Today” shkruan se të shtunën e kaluar dhjetëra trupa kosovare kishin hyrë në një enklavë serbe në veri të Kosovës, duke marrë nën kontroll disa vende industriale.

Kjo ndërhyrje e Prishtinës, sipas këtij mediumi, kishte shkelur marrëveshjet e arritura mes Prishtinës dhe Beogradit.

Serbia kishte reaguar duke vënë ushtrinë në gjendje lufte.

Sipas analistit serb të këtij mediumi, Aleksandar Pavic, situata tashmë është qetësuar, por jo edhe potenciali për dhunë që ekziston në ato territore.

Sipas këtij analisti Vuçiq ka pak mbështetje në Serbi për t’u pajtuar me Kosovën për ndonjë marrëveshje të mundshme.

Edhe Rusia i ka bërë të qartë Vuçiqit se nuk do të mbështesë ndonjë marrëveshje të mundshme me Kosovën, nëse marrëveshja nuk ka mbështetjen e popullit serb. “Serbia do të ketë përçarje të brendshme, sepse shumica e opinionit serb është kundër ndarjes”, tha Pavic.

“Kjo është një çështje shumë delikate si për presidentin serb edhe për presidentin rus”, tha ai, përcjell Telegrafi. Gjithashtu, analisti shtoi se nëse Kosova njihet si një shtet sovran nga Serbia, rezultati i mundshëm do të ishte që Kosova të bëhet pjesë e Shqipërisë, një anëtare e NATO-s dhe Moska e sheh NATO-n si një armike të Rusisë.

Pavel Kandel, një ekspert për konfliktet etnike në Institutin e Akademisë Ruse të Shkencave, tha se tensionet janë produkt i dobësimit të pozitave të dy liderëve.

“Thaçi, pozita e të cilit në Kosovë është dobësuar, me të vërtetë duhej të tregonte se sa i ashpër është, se si ai është në gjendje të kontrollojë situatën atje dhe madje mund të udhëtojë në veri të Kosovës bashkë me forca të armatosura. E njëjta gjë vlen edhe për Vuçiqin dhe për grumbullimin e ushtrisë së tij. Ai duhej të tregonte se ishte gjithashtu një lider i ashpër ” i tha ai “Russia Today”.

Kandel tha se Vuçiq është i gatshëm ta pranojë Kosovën nëse Serbia futet në BE.

Advertisements