Breaking News

SHBA përshëndet rezultatin e referendumit të dështuar për emrin në Maqedoni

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përshëndetur rezultatet e referendumit të së dielës në Maqedoni, në të cilën qytetarët i dhanë mbështetjen anëtarësimit të vendit në NATO dhe BE me mbështetjen e marrëveshjes së Prespës mes Maqedonisë dhe Greqisë.

“SHBA mbështet fuqishëm zbatimin e plotë të marrëveshjes së Prespës, e cila i mundëson Maqedonisë vendin e merituar në NATO dhe BE, që do të kontribuojë për stabilitet rajonal, siguri dhe prosperitet”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.

“Në periudhën që pason kur Kuvendi i Maqedonisë do të nisë debatin për ndryshimet kushtetuese, u bëjmë thirrje liderëve që të ngriten mbi politikat partiake dhe të mos e lëshojnë mundësinë historike për të siguruar të ardhmen e ndritur për vendin, si anëtare me të drejta të plotë e institucioneve perëndimore”, thuhet në deklaratën e këtij Departamenti

Ndërkohë, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shprehur në një postim në Twitter edhe një herë mbështetjen e aleancës veri-atlantike për Maqedoninë duke theksuar se dyert e NATO-s mbeten të hapura ndërsa kërkoi angazhim nga liderët politikë për të arritur këtë qëllim.

“E mirëpres votën ‘për’, në Maqedoni. Kërkoj nga të gjithë liderët dhe partitë politike te angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me përgjegjësi të kapin këtë shans historik. Dera e NATO-a është e hapur, por fillimisht të gjitha procedurat nacionale duhet të kryhen”, ka theksuar Stoltenberg.

Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë i Bashkimit Evropian, Johanes Hahn ka vlerësuar pozitivisht votën “për” në referendum dhe si shumë të rëndësishme për marrëveshjen me Greqinë.

“Uroj ata që kanë votuar në referendumin konsultues. Me votën ‘për’ i është dhënë mbështetje e gjerë Marrëveshjes së Prespës dhe të ardhmes euroatlantike të Maqedonisë”, ka shkruar Hahn në Tëitter.

Komisioneri Hahn ka thënë se pret nga liderët politikë që të respektojnë këtë vendim dhe ta zbatojnë atë me unitet dhe përgjegjësi të lartë.

Sipas të dhënave të para që i publikoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në faqen e internetit nga 20 për qind të përpunuara nga vendvotimet,  “pro” në pyetjen e referendumit janë deklaruar 91,03 për qind, ndërsa “kundër” ishin 6.03 për qind.

Qytetarët e Maqedonisë në referendumin e sotëm u deklaruan për pyetjen “Nëse jeni për anëtarësimin në BE dhe NATO me pranimin e Marrëveshjes midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë”.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga KSHZ-ja, jehona e referendumit deri në orën 18:30 ishte 34,09 për qind.

Kryeministri Zoran Zaev, në konferencën e fundit deklaroi se nuk ka ndërmend të dorëhiqet por se vota pro e qytetarëve e obligon atë që procesin ta kaloj në procedurë parlamentare, e në rast se nuk siguron 2/3 e votave, nuk përjashton mundësin e zgjedhjeve të parakohshme, që sipas Zaev fundi i nëntorit do të ishte datë e përkryer.

“Parlamenti e ka radhën, dhjet ditë do të bëjmë përpjekje, por në rast se nuk arrijmë të sigurojmë 2/3 e votave, atëherë alternativë mbeten zgjedhjet e parakohshme”, deklaroi Zaev.

Advertisements