Breaking News

Buxheti për formimin e ushtrisë s’pritet ta rrezikojë stabilitetin financiar

Buxheti për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri nuk do të rrezikojë stabilitetin makro-fiskal, pa marrë parasysh që pakoja e ligjeve për këtë transformim ka kosto të lartë buxhetore, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Financave (MF), Bedri Hamza në një intervistë për EO, ka bërë të ditur se do të kryejë të gjitha obligimet në mënyrë që të sigurohet financim i mjaftueshëm për FSK-në.

Pakoja e projektligjeve për transformimin e Forcës së Sigurisë në Forcë të Armatosur ka kaluar në Qeveri javë më parë. Bazuar në tri deklaratat buxhetore, në tri vitet e ardhshme, për FSK-në do të alokohen rreth 174 milionë euro.

“Ministria e Financave do t’i bëj të gjitha veprimet e nevojshme që të siguron financim të mjaftueshëm për arritjen e kapaciteteve. Nëse ka nevojë do të lëvizim edhe brenda për brenda strukturës të buxhetit me qëllim që të jetë me përputhje me nevojat. Sigurisht që do të ketë kosto shtesë sepse do të rritet numri do të rriten pajisjet por është një kosto që ne do të modelojmë zgjidhje adekuate të pranueshme pa e rreziku stabilitetin makro-fiskal”, tha Hamza.

Kabineti qeveritar në të cilin bën pjesë edhe ministri Hamza, ka miratuar edhe tri projektligjet të cilat janë konsideruar si shumë të rëndësishme për procesin e reformës në administratën publike.

Pjesë e kësaj pako është edhe Projektligji për Pagat i cili rregullon sistemin e pagave dhe shpërblimeve për zyrtarët dhe funksionarët publik. Sipas ministrit të Financave, zbatimi i Projektligjit që mbërrin vlerën e 90 milionë eurove, i ka shkaktuar problem llogaritja e shtesave.

Advertisements