Breaking News

Turqia mbështet Kosovën për njohjet e reja dhe anëtarësimin në INTERPOL

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, Behgjet Pacollin, në kuadër të sesionit vjetor të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara të OKB-së, kanë zhvilluar një takim me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

Në këtë takim është biseduar për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral, për rritjen e shkëmbimit tregtar dhe bashkëpunimit në fusha tjera me interes të përbashkët.

Presidenti Thaçi ka falënderuar presidentin turk, Erdogan për mbështetjen që Turqia i ka dhënë Kosovës në procesin e shtimit të njohjeve dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Ai ka marrë mbështetjen e presidentit turk, Erdogan për procesin e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, duke kontribuar kështu në rritjen e sigurisë globale.

Nga ana tjetër, presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan ka thënë se ai do të angazhohet personalisht në shtimin e numrit të njohjeve për Kosovën dhe në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Në fund presidenti Thaçi e ka informuar presidentin turk lidhur me fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe për domosdoshmërinë e arritjes të një marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme.

Me këtë rast, presidenti turk ka thënë se mbështet arritjen e një marrëveshje ndërmjet dy vendeve.

Presidenti Thaçi ka vazhduar takimet e shumta me krerët botërorë, të cilët po marrin pjesë në Sesionin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Advertisements