Breaking News

Vuçiç bojkoton Uashingtonin dhe Brukselin, shkak Kosova

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka vendosur që të fillojë një fazë të re në raportet me bashkësinë ndërkombëtare, që mund të quhet edhe si bojkotim i heshtur i Brukselit dhe Uashingtonit. Vendimin e ka marrë Vuçiçi, por e ka publikuar udhëheqësi i zyrës për Kosovë Marko Gjuriç, i cili tha se Brukseli duhet të presë pak për vizitën e ardhshme të Vuçiçit atje. Ndërkohë që Vuçiç nuk do të marrë pjesë as në Asamblenë e Përgjithshme të OKB. Në Nju Jork do të udhëtojë kryeministrja Ana Brnabiç.

Gjuriç shpjegoi se Vuçiçi ka ofruar disa zgjidhje për çështjen e Kosovës, por atë e kanë kritikuar shumë për këto ide. Gjuriç tha se presidenti i Serbisë është përballur me heshtje, me distancim nga idetë e tij, e madje edhe “me sulme të tmerrshme”, ndaj Gjuriç tha se në Bruksel “tani do të presin edhe ca kohë deri sa Vuçiç të shkojë në takimin e ardhshëm”.

Pse është zemëruar presidenti?

Nëse zemërimi i presidentit të Serbisë Vuçiç ndërlidhet me idetë e tija për përkufizim me Kosovën, atëherë nuk dihet sakt se për cilat sulme të bashkësisë ndërkombëtare e ka fjalën Gjuriçi. Ideja për përkufizimin, ndarjen e territotreve apo shkëmbimin e tyre, nuk është pritur me ndonjë entuziazëm të madh në disa vende perëndimore, por është tërësisht e tepruar të thuhet se për këto ide Vuçiçi “është përballur me sulmet më të tmerrshme”. Në disa vende ka pasur madje mirëkuptim për idetë e Vuçiçit.

Një numër i madh i diplomatëve evropianë ka bërë të ditur – ndonëse me shumë kujdes – se janë të pranueshme marrëveshjet që arrihen mes Prishtinës dhe Beogradit, e shikuar nga shkrimet e mediave serbe, më së paku kundërshtime për këto ide ka pasur në SHBA. Mediat serbe kanë bërë madje gara me shkrimet se administrata amerikane e ka ndryshuar qëndrimin dhe se ajo nuk ka asgjë kundër zgjidhjeve të cilat do të nënkuptonin ndonjë lloj ndarjeje apo përkufizimi.

Po pse është i zemëruar Vuçiçi pra? Naim Leo Beshiri, drejtor i Institutit për Çështje Evropiane thotë se “Vuçiçi zemërohet tepër shpesh dhe ne shpesh nuk e dimë fare pse është zemëruar presidenti. Skenarë të ndryshëm për zgidhjen e çështjes së Kosovës janë paraqitur në opinion, por ne kurrë nuk kemi marrë ndonjë konfirmimim zyrtar se cili është propozimi i autoriteteve serbe. Ne vetëm dimë se Serbisë nuk i përgjigjet status quo-ja, që do të thotë se ajo angazhohet për përkufizim, korigjimin e kufijve, shkëmbimin e territoreve – por përgjigjen e saktë nuk e kemi marrë kurrë”.

“Ndaj kam frikë se fjalët e Gjuriçit janë vetëm një truk për opinionin e brendshëm. Kjo duhet të bindë qytetarët serbë se Vuçiçi ka bërë gjithçka brenda mundësive të tij, por bashkësia ndërkombëtare nuk është e gatshme t’i pranojë kërkesat tona. Ndaj kur të vijë koha e nënshkrimit të marrëveshjes me Kosovën do të kërkojë mbështetjen e qytetarëve në referendum, sepse ndonjë zgjidhje tjetër nuk ka qenë e mundur”, mendon Beshiri.

Advertisements