Breaking News

Në Ballkan, një çast që mund të mos përsëritet më

Me ardhjen e vjeshtës, në Europë  është koha që të vilen frytet e disa muajve punë diplomatike në të gjithë Ballkanin. Më 30 shtator, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë do të mbajë një referendum që mund të sjellë ndryshimin e emrit në “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Nuk është thjesht ndryshim teksti. Nëse ndryshimi votohet në referendum, do të mbyllen 27 vite përplasjesh midis qeverive greke dhe maqedonase. Greqia e kundërshton me forcë përdorimin e termit “Maqedoni” nga fqinji i saj, për shkak të një krahine të Greqisë që mban të njëjtin emër. Përveç kësaj, mbretëria e lashtë e Maqedonisë ka domethënie të madhe për kulturën dhe historinë e Greqisë së sotme.

Nëse shumica e popullsisë maqedonase voton në favor të ndryshimit të emrit, gjasat janë që edhe parlamenti t’i kalojë. Pas kësaj, fjala e fundit do t’i shkonte parlamentit grek, që gjithashtu duhet të votojë për ndryshimin.

Për shkak të këtij debati për emrin, Greqia ka bllokuar përparimet në BE dhe në NATO për Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë (një emër i përkohshëm i përdorur që nga viti 1993). Por, tre muaj më parë, qeveritë greke dhe maqedonase më në fund gjetën një zgjidhje. Ajo për të cilën ranë dakord shprehet shumë qartë në pyetjen të këtij referendumi: “A mbështesni anëtarësimin në BE dhe NATO duke pranuar marrëveshjen midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”

Federika Mogerini, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë,  si dhe Metju Nimetz, i dërguar personalisht nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-s, kanë pasur role kyçe për realizimin e negociatave. Nimetz, i cili ka punuar me këtë çështje që në vitin 1994, ka paralajmëruar që ky lloj mirëkuptimi diplomatik është vështirë të përsëritet.

Në një kohë kur rritja e nacionalizmit po shihet gjithandej, Marrëveshja e Prespës (e emërtuar sipas liqenit që ndahet nga  Shqipëria, Greqia dhe Maqedonia) duket si lehtësim i madh. Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, dhe homologu i tij grek, Aleksis Cipras, kanë shfaqur guxim dhe përgjegjësi të lartë për arritjen e kësaj marrëveshjeje. Të dyve u është dashur të konsumojnë kapitale të mëdha politike, sidomos kundër forcave nacionaliste në vendet përkatëse dhe mocioneve  të mosbesimit të ngritura nga opozitat.

Advertisements