Breaking News

Thaçi shpërthen ndaj Haradinajt: Nëse do luftë, nisja!

Çështja e kufirit po kthehet në mollë sherri mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.

Nga deklaratat diplomatike, kreu i shtetit ka shpërthyer në një koment të drejtpërdrejt për shefin e ekzekutivit: nëse do luftë, nisja, por jo në studio televizive citohet të ketë thënë presidenti.

Sipas shtypit kosovar, këto komente Thaçi i bëri gjatë takimit të zhvilluar me kreun e PDSH-së në Maqedoni, Menduh Thaçi.

Presidenti kosovar theksoi gjithashtu se kërkesën për bashkim me Kosovën, sipas tij, e ka bërë vetë Lugina e Preshevës. Thaçi shtoi se po punon për ta institucionalizuar këtë kërkesë.

Ai përsëriti se nuk do të lejojë një Asosacion me kompetenca ekzekutive, e as një Republikë Srpska, ndërsa shtoi se liqeni i Ujmanit dhe Trepça do t`i mbeten Kosovës.

Presidenti, Hashim Thaçi, ka konfirmuar mundësinë e takimit me presidentin e Shteteve të  Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Do të respektojmë agjendën e planifikuar, aty përfshihet mundësia e takimit me Trumpin, që do të jetë mundësi e shkëlqyer për Kosovën e rajonin,” është shprehur Thaçi.

Ai ka shprehur mirënjohje për administratën e Donald Trump rreth mbështetjes që po i bënë negociatave Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

“Jam shumë mirënjohës administratës së Trumpit që na kanë dhënë mundësinë për diskutimin rreth marrëveshjes paqësore Kosovë-Serbi,” është shprehur Thaçi, raporton EO.

I pyetur se si e sheh bojkotin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq të  punimeve të Asamblesë së OKB-së, Thaçi ka deklaruar se agjenda e Kosovës asnjëherë nuk është varur dhe nuk do të varet nga Serbia.

Duke folur rreth deklarimeve në opinion për luftë, Thaçi ka thënë se nuk do t’i pengojë, duke shtuar se “lufta zhvillohet në istikame e jo në studio televizive”.

“Agjenda e shtetit të Kosovës nuk varet as nuk është varur kurrë nga agjenda e Serbisë. Jemi shtet sovran, kemi agjendën tonë obligimet tona. Ata qe po flasin për luftëra s’jom tu i pengu. Janë 400 kilometra kufi… Lufta nuk zhvillohet në debate televizive por në istikame”, tha ai pas takimit me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë, Menduh Thaçin.

Advertisements