Breaking News

Putin nuk pranon të takohet me delegacionin izraelit

Vladimir Putin, president i Rusisë nuk ka pranuar të takohet me një delegacion Izraelit të kryesuar nga komandanti i forcave ajrore të Izraelit, për të diskutuar mbi rrëzimin e avionit ushtarak rus në Siri.

Sipas agjencisë Sputnik të lajmeve, komandanti i forcave ajrore të ushtrisë izraelite Nurekhin Amikam është takuar me disa ushtarakë rusë me të cilët ka diskutuar mbi rrëzimin e avionit rus Il-20. Në këtë takim pala izraelite ka dhënë informacione mbi mënyrën e rrëzimit të avionit rus Il-20 në Siri. Përveç kësaj thuhet se në këtë takim pala izraelite ka diskutuar mbi përpjekjet e Iranit për të forcuar pozitën e tij në Siri dhe për t’i dërguar armët strategjike Hezbullahut të Libanit. Ndërkohë presidenti i Rusisë Vladimir Putin nuk ka caktuar ndonjë afat për tu takuar me delegacionin izraelit. Më herët Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, duke fajësuar veprimet e papërgjegjshme të Izraelit, tha se Forca ajrore e Sirisë rrëzoi pa dashje një avion rus të mbikëqyrjes në Detin Mesdhe. Të pesëmbëdhjetë shërbyesit rusë në bordin e avionit vdiqën. Ministria ruse e Mbrojtjes tha përmes një deklarate se pilotët izraelitë, duke kryer sulme mbi caqet në Siri, “kanë përdorur aeroplanin rus si mbulesë, duke e ekspozuar ndaj zjarrit të forcës ajrore të Sirisë”. “Si rezultat i veprimeve të papërgjegjshme të ushtrisë izraelite, 15 shërbyes rusë vdiqën. Kjo absolutisht nuk korrespondon me frymën e partneritetit Rusi-Izrael”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes ruse, Igor Konashenkov. “Ne rezervojmë të drejtën për të marrë masa të duhura si përgjigje”, shtoi ai. Kjo deklaratë u bë pak orë pasi ministria njoftoi se avioni Ilyushin Il-20 është zhdukur nga radari, rreth 35 kilometra larg bregdetit sirian.

Advertisements