Breaking News

Irani mirëpret marrëveshjen e Soçit për çështjen e Idlibit në Siri

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit ka mirëpritur marrëveshjen mes Turqisë dhe Rusisë që u arrit në takimin Putin-Erdogan në Soçi dhe deklaroi se takimi presidentëve të Rusisë dhe Turqisë dhe deklarimi i marrëveshjes së arritur për mënyrën e zgjidhjes së çështjes së Idlibit në Siri, konsiderohet një hap themelor në zhdukjen e mbetjeve të terroristëve në Siri.

Agjencia e lajmeve ISNA njoftoi se Bahram Kasemi, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, të martën deklaroi: “Marrëveshja e Rusisë dhe Turqisë nëpërmjet ndihmave të nevojshme për zgjidhjen politike të krizës në Siri dhe duke marrë parasysh të gjitha aspektet humanitare, mund ta ndihmojë procesin e vendosjes së paqes në Siri dhe zhdukjes së grupeve terroriste në këtë vend. Ndërprerja e çfarëdo lloj dhune dhe gjakderdhje njëkohësisht me spastrimin e rajonit nga terroristët, është një prej shtyllave më themelore dhe më fondamentale të politikës së jashtme të Republikës Islamike të Iranit”,- shtoi ndër të tjera Kasemi.

Vlen të theksohet se dje presidenti rus Vladimir Putin pas takimit me homologun e tij turk Rexhep Taip Erdogan, bëri të ditur arritjen e marrëveshjes për krijimin e zonave joushtarake në thellësinë 15-20 km përgjatë linjave ndarëse mes terroristëve dhe ushtrisë së Sirisë në Idlib deri më 15 tetor.

Advertisements