Breaking News

Rama “thumbon” PE-në, Basha e vlerëson liberalizimi i vizave për Kosovën

Votimi pro liberalizimit të vizave për Kosovën në Parlamentin Europian ka nxitur reagimin e politikës në Tiranë, me kryeministrin Edi Rama dhe kryeopozitarin Lulzim Basha që kanë përshëndetur këtë hap pozitiv, transmeton “Shqip”.

Kryeministri Rama ka qenë “thumbues” në reagimin e tij, duke shprehur zhgënjim për faktin se BE duhet të kishte lejuar lëvizjen e lirë të qytetarëve kosovarë më herët.

“Shyqyr që Parlamenti Europian e hoqi nga vetja njollën me të cilën Europa ka kaq vjet që cënon flamurin e vet duke mos hequr vizat për Kosovën! Kosova mbetet dhe për pak kohë i vetmi vend me viza për në Europë, por kjo e sotmja është një hap për t’u përshëndetur sidoqoftë”, shprehet Rama.

Basha ishte i pari që përdori Twitterin për të uruar qytetarët e Kosovës për lajmin pozitiv dhe theksoi se “votimi i PE është mbështetje e qartë për Kosovën dhe perspektivën e saj europiane”.

“Përshëndes votimin e Parlamentit Europian për lëvizjen pa viza të qytetarëve të Kosovës në BE. Ky votim i njeh qytetarëve të Kosovës një të drejtë të merituar dhe dinjitet të barabartë në rajon”, shkruan kreu i PD.

Ndërkohë, ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha e cilëson liberalizimin e vizave me Kosovën, përgjigjen më të mirë për debatin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Parlamenti Europian sapo ka votuar pro liberalizimit të vizave me Kosovën. Ky është një lajm i jashtëzakonshëm për një popull që ka lëvizur i lirë atëherë kur të gjithë ne kishim mure dhe sot në 2018 ende diskutohet lëvizja e tyre e lirë. Kjo është përgjigjia më e mirë që mund t’i jepet debatit të fundit lidhur me ridizenjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Ballkani nuk ka nevojë për më shumë kufij por për një bashkëjetesë më të mirë mes tij dhe Bashkimit Europian. Shpresoj shumë që të gjitha institucionet e tjera Evropiane dhe sidomos Këshilli i Ministrave të BE të miratojë këtë vendim të sotëm të Parlamentit Evropian”, thotë Gjosha në një status në Facebook.

Advertisements