Breaking News

Korrigjimi i kufijve Kosovë-Serbi apo “korrigjimi i tërë ballkanit”

Për shumë vjet, debati për kufijtë në Ballkan ishte një temë gati se e ndaluar për politikanë e liderë shtetëror të këtij rajoni.

Hapja e çështjes së kufijve, në vazhdimësi shihej si një problematikë, e cila besohej se nuk do të përfshinte vetëm një apo dy shtete, ngase besohej se do të prodhonte efekte zinxhir tek të gjitha shtetet fqinje.

Shteti më i ri evropian, Kosova, e cila shpalli pavarësinë e saj në koordinim me Perëndimin, e kishte përcaktuar në Kushtetutën e saj e cila buron nga Pakoja e Ahtisaarit, si marrëveshje gjithëpërfshirëse për statusin, se Kosova nuk mund të ndahet e as të bashkohet me një shtet tjetër.

Duke e ruajtur këtë parim, presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq kanë nxjerrë formulën politike sipas të cilës nuk ka ndarje e shkëmbim të territorit, por mund të ketë korrigjim të kufirit.

Por, një ide e tillë përveç që shtron dilemën se sa mund të realizohet, shtron edhe pyetjen se çfarë efektesh mund të kishte për vendet e rajonit? Andaj, ideja e korrigjimit të kufirit, është komentuar në Prishtinë, Beograd, Shkup e Tiranë.

Politologu nga Prishtina, Ramush Tahiri, thotë se nëse marrëveshja do të arrihet me vullnet të dyja palëve, atëherë mund të jetë e pranueshme edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Kurse çështje tjetër, nënvizon ai, mbetet nëse ajo marrëveshje do të merrej si model edhe nga shtetet tjera me probleme të ngjashme.

“Nëse është arritur një lloj pjekurie që serbët dhe shqiptarët ta bëjnë një kufi të ri, duke e ndryshuar këtë kufirin që është tash mes Kosovës dhe Serbisë, të jetë një kufi i pranueshëm për të dyja palët, që nuk sjell shpërngulje të popullatës nga njëra anë dhe anën tjetër dhe nuk krijon shtete etnike, atëherë është i drejtë dhe duhet të ndikoj qetësisht në vende t tjera të Ballkanit”, thotë Tahiri.

“Pra, nuk ka asnjë arsye që të ndikojë në Maqedoni, sepse nuk ka interes për kufizimin nacional ose nuk e ka shprehur ajo popullatë. Gjithashtu në Bosnje kanë qenë kushtet të caktuar të luftës, por që Bosnja duhet të bëjë si shtet i dy entiteteve dhe tre kombeve”, thekson Tahiri.

Por, ndryshe mendon, Edward Joseph, profesor në Universitetin John Hopkins, i cili ka qenë në misionet ndërkombëtare në Ballkan gjatë dhe pas luftës, ka thënë për Shërbimin për Ballkanin të Radios Evropa e Lirë se ideja për shkëmbimin e territoreve nuk është e re.

Por, sipas tij, njerëzit nuk janë në gjendje t’i shohin pasojat nga realizimi eventual i një ideje të tillë, madje edhe në rast se Prishtina dhe Beogradi merren vesh për territorin të cilin duhet ta shkëmbejnë.

“Edhe nëse Beogradi dhe Prishtina pajtohen për madhësinë e territorit që duhet ta shkëmbejnë, duhet t’i kemi parasysh pasojat ndaj Maqedonisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Pse shqiptarët në Maqedoni, të cilët përbëjnë 25 për qind të popullsisë së këtij shteti, nuk do të dëshironin që t’u bashkohen shqiptarëve tjerë në shtetin shqiptar – në rast të shkëmbimit të territoreve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës?”, theksoi Joseph.

Advertisements