Breaking News

Kosovë: Mundësia për korrigjimin e kufijve

Ish-përfaqësuesi i OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner ka komentuar debatin e fundit për rishikimin e mundshëm të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai thotë se do të ishte ide e mirë nëse pajtohen të dyja palët, por sipas tij, ky opsion ka qenë i përmendur edhe më herët.

“Ka qenë opsion edhe më herët dhe mund të jetë edhe tani nëse pajtohen të dy palët. Ne mund të themi nëse është plan i mirë ose i keq, por kjo është një ide që tashmë ekziston. Kjo marrëveshje mund të jetë përfundim i luftës. Unë mendoj se është ide e mirë, edhe për Serbinë nëse ajo dëshiron që të bashkohet në BE. Dhe si pjesë e BE-së për Serbinë do të jetë e pamundur që të nxisë luftë të re”, ka thënë Kouchner, transmeton Shqiptarja. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq u angazhua pak kohë më parë për ndarje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, duke u bërë jehonë kërkesave të Serbisë për ndarjen tokësore të Kosovës në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve. Kosova e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes tokësore të saj, ndërsa është përfshirë ne debatet e nxitura nga ideja e presidentit të saj Hashim Thaçi për “korrigjimin e kufirit” që sipas tij, nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën. SHBA dhe BE nuk e kanë kundërshtuar idenë, por kanë kërkuar mos cenonte stabilitetin e Ballkanit, ndërsa Gjermania dhe Britania janë pozicionuar kundër. Përsa i përket Shqipërisë, Rama mbështeti qëndrimin e BE, ndërsa Presidenti Meta doli kundër rishikimit të kufijve. Ndwrsa kryetari i Kuvendi të Kosovës, njërit edhe kryetar i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë të shtunën në Prizren se kufijtë në Kosovë i ka garantuar gjaku i dëshmorëve të kombit, të gjithë bashkëluftëtarëve të tij, komandantit legjendar, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Luan Haradinaj, e mijëra bashkëluftëtarëve tjerë. “Askush nuk i cenon kufijtë e Kosovës, ne duhet të punojmë bashkë që t’i forcojmë ata, t’i forcojmë simbolet e shtetit. Shteti i Kosovës është i shenjtë, sovranitet dhe integrimit është i shenjte”, ka thënë Veseli. Sipas tij, duhet të pas parasysh se shteti i Kosovës është multietnik, ku shumicën dërmuese e përbëjnë shqiptarët, por në të njëjtën kohë Kosova ka obligim ndaj shqiptarëve që jetojnë në të gjithë botën, por më së shumti nevojë kanë qytetarët më të diskriminuar në Evropë, shqiptarët e Luginës së Preshevës. “Ata janë vëllezërit tanë nga Lugina e Preshevës. Do të punojmë fuqishëm që ata ose të jenë në shtetin tonë të pavarur dhe sovran, Republikën e Kosovës, ose domosdoshmërish Serbia t’i respektojë ata ashtu siç i respektojmë ne serbët këtu”, ka theksuar tutje ai. I pyetur nga TV Besa për Mitrovicën dhe mundësinë që të bëhet pjesë e ndonjë pazari me Serbinë, Veseli është treguar i vendosur në përgjigjen e tij. “Kurrë nuk do të ketë pazar me Mitrovicën. Mitrovica është e shenjtë. Ata që vetëm e qojnë ndërmend të flasin për pazar me Mitrovicën, ata janë vetë që ndjellin të keqën për Kosovë. Unë, presidenti i Kosovës dhe kryeministri jemi të vendosur ta çojmë përpara Kosovën. Do të punojmë bashkërisht për Mitrovicën, është pjesa e Lagjes së Re në lumin Ibër, te Liqeni që do ta zbukuroj Mitrovicën dhe në të njëjtën kohë shqiptarët dhe serbët do të jetojnë në një qytet të bashkuar”. Mirwpo ish ambasadori kosovar Lulzim Peci ka këmbëngulur se “korrigjimi” i kufijve, për të cilin angazhohen presidenti Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiq, është eufemizëm për ndarje të Kosovës. Është kundër këtij opsioni, pasi mendon se ai do të shkaktojë tragjedi njerëzore në formë të dëbimeve e shpërnguljeve masive. Peci është themelues dhe drejtor ekzekutiv i Institutit KIPRED, e në të kaluarën ka shërbyer si ambasador në Stockholm, si dhe ka qenë përfaqësuesi i parë ndërlidhës i Kosovës në Beograd. Në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, ai ka folur rreth opsionit të “korrigjimit” të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e i cili është paralajmëruar të vihet për diskutim në fazën finale të dialogut në Bruksel. Ka treguar se çfarë do të humbë vendi nga ky proces dhe ka folur edhe për efektet që një zgjidhje e tillë do të kishte në rajon e më gjerë. Ai ka argumentuar se si të tilla efekte nuk do të mundë t’i menaxhonin as mbështetësit në Uashington e në Bruksel, të një zgjidhjeje të tillë./oranews/

Advertisements