Breaking News

Krerët kosovarë kundër rezolutës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se partitë politike opozitare kanë marrë iniciativë për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Sipas tij, ky veprim, “ndonëse proceduralisht në rregull, politikisht përbën një veprim absurd dhe krejtësisht të panevojshëm për temën të cilën thuhet se do ta trajtojnë”. “Ky dialog dihet mirëfilli se ka tri qëllime. Qëllimi i parë është arritja e marrëveshjes ligjore ndërkombëtarisht obligative për normalizim të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë. Qëllimi i dytë, që varet prej të parit, është njohja reciproke si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Qëllimi i tretë është hapja e rrugës për anëtarësimin e Kosovës me të drejta të plota në OKB, NATO dhe BE”, tha Veseli. Ai shtoi se partitë opozitare, nëse janë pro këtyre qëllimeve, “janë të mirëseardhura në ndërtimin e platformës së përbashkët të zhvillimit dhe finalizimit të dialogut dhe për të qenë pjesë aktive e ekipit të përbashkët të unitetit”. “Në rast se janë kundër dialogut dhe me dezinformata qëllimkëqija duan t’i manipulojnë qytetarët, duke u thënë se gjoja shteti dhe territori i Kosovës janë në rrezik, le të flenë rehat, sepse institucionet shtetërore janë në krye të detyrave kushtetuese”, tha Veseli. Ai theksoi se “Kosova nuk negocion për shtetësinë, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial”. Ideja që një marrëveshje e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përfshijë “korrigjimin e kufirit”, e cila është proklamuar nga presidentët e të dyja vendeve, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, ka nxitur reagimin kundër të opozitës në Kosovë dhe të disa analistëve.

Advertisements