Breaking News

Gana do të rishikojë njohjen e Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë përmes një komunikate për media ka thënë se ministrja e Punëve të Jashtme dhe Integrimit Rajonal të Ganës, Shirli Boçvej, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Beograd, ka deklaruar se shteti i saj do të shqyrtojë vendimin për pranimin e pavarësisë së Kosovës.

“E di se vendimi që është sjellë ka qenë pengesë për zhvillimin e marrëdhënieve tona. Por, ne jemi këtu, nuk kemi shkuar në Kosovë”, ka thënë Boçvej në një konferencë të përbashkët për gazetarë me homologun e saj serb, Ivica Daçiq. Duke u thirrur në përvojën e të painkuadruarve dhe rolin që Gana dhe ish-Jugosllavia kanë luajtur në këtë lëvizje, Daçiqi ka theksuar se Serbia dhe Gana sot dëshirojnë që t’i “rindërtojnë marrëdhëniet e tyre, të cilat janë shkelur para 6 vjetësh me vendimin lidhur me njohjen e Kosovës”. Ndërkaq, kryetari i Parlamentit të Ganës, Ajron Majkl Okvaje, gjatë vizitës në Beograd, në muajin maj, ka deklaruar se Gana do ta shqyrtojë çështjen e pranimit të pavarësisë së Kosovës. Por, më 8 qershor, ambasadorja e emëruar e Ganës në Prishtinë, Salma Frances Mancell- Egalla, ia ka dorëzuar letrën kredenciale ministrit të Punëve të Jashtme të Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli. Edhe vetë ministri Pacolli, përmes rrjetit social Facebook, kishte njoftuar për akreditimin e ambasadores së re të Ganës në Kosovë. Sot, Ministria e Jashtme e Kosovës publikoi një deklaratë ku thuhet: “MPJ vlerëson se raportimet e tjera jashtë frymës së marrëdhënieve të mira dhe të qëndrueshme në mes Kosovës dhe Ganës janë thjeshtë vazhdim i propagandës serbe me lajme të rreme”.

Advertisements