Breaking News

NATO dorëzon planin me kushtet e anëtarësimit

Qeveria e Shkupit ka marrë udhëzimet e NATO-s për të përmbushur në harkun kohor 18 mujor, siç u tha në Samitin e Aleancës të mbajtur më 11 dhe 12 korrik. Maqedonia duhet të përmbushë një sërë kushtesh politike, ekonomike, të sigurisë si dhe gjyqësorit dhe sukseset e vendit duhet të kurorëzohen deri në fund të prillit të vitit 2020. Në një dokument që i është dërguar institucioneve, të cilin Alsat e siguroi nga burimet e tij, për të gjitha ministritë ka detyra të shumta, por koordinimi i tyre do të bëhet nga një Këshill koordinues në nivel qeveritar e ministror, që pritet të kalojë në ekzekutiv ditët në vijim. Respektivisht, në dokumentin e dërguar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, ndër kushtet politike që vendi duhet t’i përbush theksohet:

vijimi i sundimit të ligjit dhe reformat në gjyqësor, përfshirë përforcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe ndërmarrja e hapave aktivë për përforcimin e përgjegjësisë për korrupsion dhe krimin e organizuar, përfshirë dhe në nivel të lartë.

Të shtohen përpjekjet për ndërtimin e shoqërisë funksionale multi-etnike të bazuar tërësisht në zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

Zbatimi i plotë i të gjitha procedurave të brendshme lidhur me Marrëveshjen për zgjidhjen e çështjes së emrit është kusht për përfundimin me sukses të procesit të aderimit.

Llogaridhënie më e madhe dhe mbikëqyrje e përshtatshme mbi shërbimet e zbulimit dhe sigurisë. Zbatimin e rekomandimeve nga partnerët ndërkombëtarë dhe ligjet që u miratuan në dhjetor të 2017-s në këtë fushë.

Përveç çështjeve politike, në dokument theksohen edhe një sërë kushtesh në fushën e mbrojtjes dhe ushtrisë. Ndër të tjera nënvizohet nevoja që:

Të sigurohet se nuk ekzistojnë kufizime ligjore apo kushtetuese që mund të pengojnë operacionet kolektive të mbrojtjes, të rishqyrtohen procedurat e brendshme për dërgimin e forcave ushtarake jashtë shtetit.

Të sigurohet se të gjitha qëllimet strategjike për zhvillimin, transformimin dhe funksionalizimin e sistemit kombëtar të mbrojtjes dhe aftësitë janë në pajtueshmëri me anëtarësimin e ardhshëm në NATO.

Advertisements